E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Takim me Rulin, ose bllokuam rrugën”

• Minatorët kërkojnë takim me ministrin Ruli. Në të kundërt, rruga nacionale Bulqizë-Tiranë do të bllokohet nga mbi 700 protestues.

BULQIZE / ENVER DOÇI

Në ditën e dytë të grevës, përfaqësuesit e minierës së Bulqizës dhe të shkarkuarit e asaj private kërkojnë të takohen me ministrin e Ekonomisë dhe me administratorin e minierës, Elton Beqja. Prej tyre kërkohet ndërhyrja për zgjidhjen e kërkesave të tyre, si zbatimi i aktmarrëveshjes së bërë midis sindikatës së FSPISH të minatorëve të minierës Bulqizë dhe shoqërisë "Krom-Albania", të përfaqësuar nga firma koncesionare ruso-austriake. Në fund të muajit shkurt të këtij viti këshilli sindikal i minatorëve të Bulqizës u dërgoi një peticion të gjitha institucioneve shtetërore, te të cilët ata kishin shpresë se mund t'i ndihmonin. Në të kundërt ata kishin paralajmëruar se do të protestonin deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre. Meqenëse nuk morën asnjë përgjigje, këshilli sindikal nisi që pardje një protestë pa afat. Kryetari i sindikatave të minatorëve Dilaver Përkoxha tha se, kjo protestë vinte pas peticionit dhe protestës njëorëshe të organizuar para disa ditësh. "Kemi kërkuar zbatimin e marrëveshjes kolektive të punës, përmirësimin e kushteve të punës, ndaljen e privatizimit të atyre sektorëve minerarë që janë dhënë kohë më parë me koncesion, por më vonë janë ndryshuar hartat e koncesionit duke favorizuar individë të caktuar, miratimin e statusit të minatorit, emërimin e një mjeku dhe ndihmësi të tij në minierë, etj". Pas deklaratës së Përkoxhës kanë marrë fjalën dhe minatorë të tjerë, të cilët kanë kërkuar nga drejtoria e ndërmarrjes dhe koncesionari të mbajë premtimin e dhënë për plotësimin e marrëveshjes dypalëshe midis sindikatës së minatorëve dhe firmës së huaj. Minatorët thanë se, punojnë në kushte mjaft të vështira dhe se nuk mund të pranojnë privatizimin e sektorëve më të pasur të minierës në këtë mënyrë, duke hedhur në rrugë minatorë me përvojë. "Ku do të mbytemi pas largimit të padrejtë nga puna?, u shprehën minatorët e hequr nga puna në sektorin "D". "Nuk është e vërtetë se na larguan për kushte sigurie. Pikërisht aty ku ne ishim punësuar tani ka rinisur punën firma private, madje kanë punësuar persona të tjerë, të cilët nuk kanë punuar kurrë në minierë dhe jeta e tyre rrezikohet çdo moment". Minatorët shprehen se, në ditët që vijnë protesta e tyre do të përshkallëzohet dhe se ka gjasa që ata të bllokojnë edhe rrugën nacionale Bulqizë-Tiranë. Duke kundërshtuar privatizimin e disa sektorëve minerarë në zonën "D", kryetari i këshillit sindikal Dilaver Përkoxha theksoi se, kjo nuk mund të pranohet nga minatorët e këtij rrethi. Ministri Ruli dhe vartësit e tij duhet të mbërrijnë në Bulqizë dhe të zgjidhin urgjentisht kërkesat e minatorëve, ndryshe protestat do të jenë më të fuqishme.

Kerkesat e minatoreve

    galeritë të mos privatizohen
    të hetohen personat që manipuluan hartat e koncesionit
    të përmirësohen kushtet e punës
    të rishikohen pagat
    të korrigjohet mosha e daljes në pension
    të ngrihet një shërbim ambulator në minierë, me prani të mjekut dhe ndihmësmjekut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›