E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dyshimet për Mediun gjatë hetimeve për ngjarjen e Gërdecit”

• Dyshimet e Prokurorisë së Tiranës sipas të cilave ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë kryer veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" kanë ardhur pas hetimeve për ngjarjen e ndodhur në Gërdec.

Trazhgim Sokolaj

Burimet zyrtare nga Prokuroria e Tiranës konfirmuan dje se vendimi për kalimin e dosjes në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë vetëm në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur në Gërdec. "Provat dhe faktet e mbledhura si dhe indiciet për akuzën e shpërdorimit të detyrës kanë dalë gjithmonë duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në Gërdec. Procedimi penal me nr.916 në Prokurorinë e Tiranës është filluar për këtë ngjarje më 15 mars dhe hetimet janë zhvilluar me qëllim zbardhjen e rrethanave në të cilat ajo ka ndodhur. Gjatë këtyre hetimeve, vetëm për ngjarjen e ndodhur në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec, janë gjetur ato fakte dhe prova të cilat janë cituar në vendimin e Prokurorisë së Tiranës për kalimin e dosjes në Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim veprimin e mëtejshëm lidhur me imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes", konfirmuan burimet e akuzës së kryeqytetit. Sipas tyre, pavarësisht çfarë është përfolur apo është bërë publike në media, Prokuroria e Tiranës ka gjykuar për pozicionin e ish-kreut të dikasterit të Mbrojtjes vetëm në raport me ngjarjen e Gërdecit. "Prej të dhënave të përfituara nga hetimi i deritanishëm grupi hetimor arriti në përfundimin dhe ka dyshime se në kuadër të kësaj çështjeje, ka elemente sipas së cilave ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës", thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme të datës 29 mars 2008. Prej asaj dite Prokuroria e Tiranës ka pezulluar veprimet hetimore procedurale pasi shpalli moskompetencën e hetimit duke dërguar dosjen për shqyrtim në Prokurorinë e Përgjithshme. Ky institucion si shkalla më e lartë e akuzës shqiptare gëzon të drejtën për të hartuar kërkesën e heqjes së imunitetit ndaj personave të dyshuar nga Prokuroria se mund të kenë kryer ndonjë vepër penale. Dje Prokuroria e Përgjithshme caktoi një grup tjetër hetimi, anëtarët e të cilit janë lajmëruar mbrëmë se prej mëngjesit të sotëm do të vazhdojnë hetimet lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Disa prej prokurorëve të angazhuar në këtë çështje, janë "liruar" nga dosjet e tjera, të cilat u kanë kaluar për hetim prokurorëve të tjerë me qëllim që hetuesit e ngjarjes së Gërdecit mos të kenë angazhime të tjera.
Akuzë edhe Pinarit
Provat e mbledhura gjatë hetimit 15-ditor të Prokurorisë së Tiranës lidhur me ngjarjen e Gërdecit, duket se fajësojnë të paktën për akuzën e shpërdorimit të detyrës edhe ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari. Aktualisht ai mbahet i arrestuar në burgun 313 në Tiranë vetëm për akuzën e shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët luftarake dhe radioaktive. Mirëpo në analizën e dosjes të bërë nga Prokuroria e Tiranës të shtunën e javës së kaluar, mësohet se grupi i hetimit ka arritur në dyshime të bazuara se Ylli Pinari mund të ketë kryer veprën penale "shpërdorim detyre". Gjithsesi ndaj ish-zyrtarit të lartë të ndërmarrjes së import-eksportit të armëve dhe municioneve luftarake ende nuk është ngritur ndonjë akuzë e re. Shkak për këtë duket se ka qenë fakti se Prokuroria e Tiranës bashkë me konstatimin se Ylli Pinari mund të kishte kryer "shpërdorim detyre", shpalli edhe moskompetencën e saj në hetimin e kësaj çështjeje. Prej këtij momenti, siç tregojnë prokurorët, çdo veprim procedural apo hetimor i Prokurorisë së Tiranës, qoftë edhe ngritja e një akuze të re, nuk ka vlerë ligjore dhe procedurale. Në këtë mënyrë, duket se kalimi i dosjes në Prokurorinë e Përgjithshme ka shpëtuar përkohësisht nga një akuzë e re Ylli Pinarin, i cili u arrestua bashkë me Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxollin, tri ditë pas ngjarjes së ndodhur në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, pjesë e hetimit tashmë do të jetë edhe një ekspertizë kontabël me qëllim verifikimin e sasisë dhe çmimit të fishekëve dhe municioneve që firma "Alba Demil" e Mihal Delijorgjit kishte marrë nga ndërmarrja MEICO e Ministrisë së Mbrojtjes. Dokumentet rreth këtyre përllogaritjeve janë sekuestruar dhe ndodhen në Prokurori ndërsa hetimi rreth dëmit që mund t'i jetë shkaktuar shtetit me shitjen e fishekëve nga MEICO tek Delijorgji pritet të zbardhet pas fillimit të hetimeve për dosjen "Gërdeci" në Prokurorinë e Përgjithshme.

"Mund të përsëriten veprimet hetimore"

TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme si institucioni më i lartë i akuzës në Shqipëri mund të përsërisë disa nga veprimet hetimore të bëra më parë nga Prokuroria e Tiranës, sigurisht për atë pjesë të veprimeve procedurale për të cilat është e mundur të përsëriten. Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme thanë se dëshmitarë të pyetur edhe më parë nga Prokuroria e Tiranës mund të thirren përsëri për të dhënë deklarimet e tyre, por kësaj radhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Organi qendror i akuzës ka tagrin ligjor të vlerësojë ose të cilësojë rëndësinë e provave dhe dëshmive të mbledhura më parë nga Prokuroria e Tiranës. Ky institucion ka marrë në pyetje ish-ministrin Mediu, shefin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, Komandantin e Forcës së Bashkuar Shpëtim Spahiu, drejtorin e Logjistikës Dashnor Çaushi dhe mbikëqyrësin e ndërmarrjes MEICO në Gërdec. Të gjithë këta dëshmitarë mund të thirren për të dhënë deklarime në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në krater, dokumente të gruas së Delijorgjit

Prokuroria e Tiranës e cila gjeti kasafortën e firmës "Alba Demil" në vendin ku më parë ndodhej fabrika e demontimit, tha se mes dokumenteve që i kanë shpëtuar shpërthimeve ndodhen edhe fatura të kompanisë në pronësi të Delijorgjit dhe pagesa të bëra në adresë të një kompanie tjetër të drejtuar nga një grua me emrin Vjollca, e cila sipas hetuesve, ka qenë gruaja e biznesmenit të arrestuar.

Zbulohet “misteri”, ja pse nuk erdhën në Tiranë agjentët e FBI

TIRANE - Eshtë përfolur gjatë dhe në mënyrë publike si një "incident" fakti se gjashtë agjentë të FBI-së nuk kishin mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në hetimet e dosjes "Gërdeci", ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga Prokuroria e Përgjithshme. Por në fakt pas gjithë kësaj historie në dukje misterioze nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Një zyrtar i lartë i Prokurorisë së Tiranës, konfirmoi dje për gazetën "Panorama" se, Byroja Federale e Hetimit, FBI-ja në SHBA, kishte përgatitur një grup prej gjashtë hetuesish për të mbërritur të mërkurën në Tiranë. "Në këtë grup të FBI-së, bënin pjesë katër specialistë që do të ndihmonin në identifikimin e kufomave dhe dy specialistë armatimi", konfirmoi zyrtari i Prokurorisë së Tiranës i cili ka ndjekur nga afër hetimet e para për ngjarjen e ndodhur në Gërdec. Ai tha se, Prokuroria shqiptare kishte hyrë në kontakt me grupin e ekspertëve të FBI-së, të cilëve u ishte konfirmuar se të gjitha kufomat e mbërritura në morg ishin identifikuar. Në këtë mënyrë dukej i panevojshëm udhëtimi drejt Tiranës i katër specialistëve të FBI-së, ekspertë për identifikimin e kufomave pasi nuk kishte asnjë viktimë të gjetur dhe të paidentifikuar. "Lidhur me dy ekspertët tjerë të armatimit që FBI-ja kishte planifikuar t'i sillte në Tiranë, sërish gjatë kontakteve dypalësh kemi konfirmuar se, specialistë të kësaj fushe që mund të ndihmojnë hetimin, kishim në Tiranë, madje ata ishin angazhuar në veprimet konkrete hetimore", tha zyrtari i Prokurorisë duke sqaruar shkakun pse ekipi i hetuesve të FBI-së nuk erdhi në Tiranë.           tr.so

Gërdeci, hetim për trafik dhe korrupsion zyrtarësh

Imuniteti i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duket se nuk është një çështje e ngutshme dhe as në rendin e ditës për Prokurorinë e Përgjithshme.

Kryeprokurorja Ina Rama pasi ka shqyrtuar për pak kohë dosjen "Gërdeci" dhe vendimin e Prokurorisë së Tiranës e cila shpalli moskompetencën e hetimit për shkak të imunitetit të ish-ministrit Mediu, ka vendosur të kalojë fashikullin hetimor në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Zamir Shtylla, kreu i kësaj Drejtorie në Prokurorinë e Përgjithshme, do të jetë drejtuesi i hetimeve të mëtejshme për dosjen "Gërdeci". Sipas vendimit të djeshëm të Kryeprokurores Ina Rama, nga Prokuroria e Përgjithshme në hetimin e tragjedisë së Gërdecit do të marrin pjesë edhe tre prokurorë nga Prokuroria e Përgjithshme, Kujtim Luli, Arqile Koça dhe Alfred Progonati. Drejtuesja e organit qendror të akuzës, ka komanduar në hetimin e çështjes edhe prokurorët Arben Dollapi dhe Sokol Stojani, nga Prokuroria e Tiranës. Në këtë mënyrë, pesë prokurorë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Tiranës do të vazhdojnë më tej hetimet për dosjen Gërdeci ndërsa ndjekja penale do të jetë në drejtimin e kreut të zyrës së Hetimit, Zamir Shtylla. Trupës së prokurorëve i bashkohet edhe një numër prej dhjetë oficerësh të Policisë Gjyqësore në Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Tiranës. Lajmi është konfirmuar dje nga zyra e prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Sipas saj, hetimi vazhdon në pistat e shpërdorimit të detyrës, shkeljes së rregullave të sigurisë, aktit kriminal nga konkurrenca e pandershme, dhe mundësisë që shpërthimi i Gërdecit të ketë qenë një akt i qëllimshëm kriminal.    
Super hetimi
Zyra e Kryeprokurores duke iu referuar të dhënave të publikuara në media për ndarjen e dosjes në pjesën që bën fjalë për trafikun e armëve, tha se dosja penale "Gërdeci" ende nuk është ndarë. Hetimet për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec duket se do të vazhdojnë në linjat e korrupsionit të mundshëm nga zyrtarët shtetërorë, trafikut të paligjshëm apo tregtisë ilegale të municioneve dhe bashkëpunimit mes tyre të personave të dyshuar. Për këtë shkak, në grupin e hetimit janë emëruar oficerë nga Sektori i Krimit të Organizuar, Sektori i Antikorrupsionit dhe Antitrafiqeve në polici. Ndërkaq lidhur me hetimet për bashkëpunimin e të dyshuarve për qëllime kriminale në grupin hetimor janë përfshirë edhe katër oficerë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në grupin e oficerëve që do të hetojnë dosjen "Gërdeci", sipas vendimit të djeshëm të Kryeprokurores Ina Rama do të jenë nga Ministria e Brendshme, Arjan Muca, drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, Ardian Cipa, shef i sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Perlat Vatoci, oficer i trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Bledar Celiku, oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në policinë e Tiranës, Ermal Milori, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës dhe katër oficerë nga Prokuroria për Krime të Rënda: Arjan Mucaj, Ibrahim Hoxha, Arben Frashëri dhe Hamza Plaka.

GRUPI HETIOMR I DOSJES “GERDECI”

Prokuroria e Përgjithshme
Zamir Shtylla, drejtues hetimi
Kujtim Luli, prokuror
Arqilea Koca, prokuror
Alfred Progonati, prokuror

Të komanduar nga Prokuroria e Tiranës
Arben Dollapi
Sokol Stojani

Oficerë të seksioneve të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, dhe oficerë të Ministrisë së Brendshme
1. Arjan Muca, drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme
2. Ardian Cipa, shef i sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
3. Perlat Vatoci, oficer i trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
4. Bledar Celiku, oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
5. Tefik Sulejmani, oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut, Tiranë
6. Ermal Milori, oficer i Policisë Gjyqësore, Prokuroria Tiranë
7. Arjan Mucaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për  Krime të Rënda
8. Ibrahim Hoxha, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda
9. Arben Frashëri, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për  Krime të Rënda
10. Hamza Plaka, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›