E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në qendër të Lushnjës vritet me 8 plumba “Ben komisari”

19/05/2005  Arben Hoxha dyshohet si i përfshirë në trafiqe dhe në vrasje

LUSHNJE – Një shtetas është ekzekutuar në mënyrë publike, në qendër të qytetit të Lushnjës. Arben Hoxha, 40 vjeç, i njohur dhe me pseudonimin “Ben komisari”, është vrarë me 8 plumba automatiku, ndërsa po luante në lojërat elektronike të lokalit ku pinte edhe kafe.

Sipas policisë, ngjarja po hetohet në disa pista dhe sipas burimeve zyrtare të policisë së komisariatit të Lushnjës kanë qenë të paktën dy persona, të cilët kanë kryer vrasjen në bashkëpunim. Po sipas të njëjtave burime, janë identifikuar dy autorët, 31-vjeçari Dritan Bilbili dhe një person tjetër, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Për policinë, Bilbili nuk njihet si kontigjent i saj.

Ngjarja

Ka qenë ora 09.00 e ditës së djeshme, kur në qendër të qytetit të Lushnjës, në bar-kafe "Xheal", është goditur me breshëri kallashnikovi shtetasi Arben Hoxha, 40 vjec, i divorcuar, me një fëmijë, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë. Viktima e djeshme ka qenë i ulur në njërin prej këtyre kompjuterave të lokalit, kur është goditur për vdekje.

Në lokal, gjatë gjithë paradites së djeshme, kanë qenë oficerët e policisë gjyqësore dhe kriminale, që po punojnë në shumë pista, pasi Hoxha njihej si shumë problematik dhe kontigjent i skeduar i policisë.

Makina, me të cilën janë larguar vrasësit, ka qenë një “Benz” me ngjyrë të kuqe, e cila ka pasur brenda dy persona.

Dëshmitarët

Sipas dëshmitarëve, të cilët kanë parë ngjarjen, një person me kallashnikov në dorë është futur në lokal dhe ka qëlluar në drejtim të Hoxhës. Gjithsej 8 plumba në trupin e tij i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme 40-vjeçarit.

Kufoma është marrë nga lokali dhe është përcjellë për në morgun e spitalit, ndërkohë që ekspertë kriminalistikë kanë grumbulluar prova materiale të gjetura në vendngjarje. Pranë komisariatit të policisë Lushnjë janë shoqëruar shumë persona, për t’u marrë në pyetje, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e krimit.

Viktima

Arben Hoxha ka lindur në lagjen “Gafurr Muça” dhe para vitit 1990 ai kishte ikur me familjen në Tiranë, ishte djalë i vetëm dhe kishte dy motra, njëra prej të cilave juriste.

Burime të policisë së Lushnjës bënë të ditur se Hoxha ishte një njeri shumë problematik, jo vetëm për bashkëqytetarët e tij, por dhe policinë. Ai njihej në këtë qytet si një ndër të fortët me nofkën “Ben Komisari” për shkak se babai i tij, Isuf Hoxha, i cili tashmë nuk jeton, ka qenë në vitet e diktaturës shef i Degës së Punëve të Brendshme në Lushnje.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se 14 vitet e fundit Hoxha është përfshirë në rrjetin e drogës dhe prostitucionit. Ai është dënuar edhe nga Gjykata e Lushnjës. Ai ka qenë i dyshuar dhe si autor i një vrasjeje të ndodhur në Tiranë, çështje e cila është mbyllur, duke e lënë të lirë Hoxhën.

Gjithashtu, sipas burimeve në komisariatin e Lushnjës, mësohet se Arben Hoxha, i njohur me nofkën djali i Komisarit, dyshohet se ka kryer edhe një tjetër vrasje në Itali, ku ka bërë burg edhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Hetimi

Sipas disa burimeve të rezervuara policore, mendohet se autorët e krimit, të cilët pas krimit janë larguar me automjet me shpejtësi, ta kenë ndjekur viktimën që nga Tirana, duke gjetur momentin e volitshëm në lokalin ku ndodhi vrasja.

Dëshmitarët okularë duket se e kanë patur mjaft të vështirë për të rindërtuar ngjarjen e ndodhur brenda pak sekondave. Nga puna e bërë në rrugë operative është bërë e mundur identifikimi i njërit prej autorëve, i cili është shpallur në kërkim. Dritan Bilbili, banues në lagjen “Kadri Qysti” në Lushnjë, është identifikuar, së bashku me një tjetër person, si ekzekutori i Hoxhës, por për arsye hetimore nuk janë dhënë më shumë detaje në lidhje me motivin që mund ta ketë shtyrë 31-vjeçarin Bilbili të ekzekutojë mëngjesin e djeshëm Arben Hoxhën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›