E Hënë, 2 Nëntor 2026

Poçi: Rruga Durrës-Kukës përfundon vetëm në rast se gjehen financimet

19/05/2005  Opozitarët theksojnë se taksa "Majko" është përdorur në destinacione të tjera

Gjatë diskutimit në komisionin hetimor për taksën Durrës-Morinë, përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se qeveria ka përdorur fondet e kësaj takse në objekte të tjera. Sipas tyre, deri më tani nuk është arritur në objektivin e vënë dhe pse shqiptarët kanë paguar çdo vit detyrimin e tyre. Ndërkohë, ministri i Transporteve, Spartak Poçi, ka theksuar se rruga mund të ndërtohet vetëm në rast se do të ketë financime nga organizma ndërkombëtare, pasi deri më tani është arritur të mblidhet vetëm një e dymbëdhjeta e shumës së kërkuar për ndërtimin e këtij aksi rrugor. Poçi ka bërë të ditur se në rast të gjendjes së financimeve rruga do të ndërtohet brenda 30 muajve. Poçi ka bërë të ditur se rruga do të jetë e gjerë 21 m, duke e renditur në standardet e Bashkimit Evropian. Ai ka hedhur poshtë mundësinë e ndërtimit të kësaj autostrade prej forcave ushtarake, pasi për këtë kërkohet teknologjia dhe eksperienca e duhur. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë kërkon një fond total prej 550 milionë euro. Poçi sqaroi se deri më tani për këtë rrugë është kryer vetëm studimi i fizibilitetit, i cili ka kushtuar 700 mijë dollarë. Ndërtimi i një pjese të rrugës do t’i jepet me koncesion nga një firmë e njohur gjermane. Në komision ka raportuar dhe ministri i Financave, Arben Malaj, i cili ka theksuar se fondet e mbledhura nga taksa janë në buxhetin e shtetit. Malaj tha se nga taksa “Majko” janë mbledhur rreth 470 milionë lekë të reja dhe aktualisht shqiptarët paguajnë sërish për këtë taksë, nën emrin taksa e qarkullimit rrugor. Por deputetët e opozitës theksojnë se ka arsye të deklarohet që fondet nuk janë më në buxhetin e shtetit, pasi ato janë përdorur për të shlyer borxhin e jashtëm. Ndërkohë dje, Kryeministri Fatos Nano, gjatë prezantimit të kandidaturave të Partisë Socialiste në Rrëshen, është shprehur se “do të vazhdojë me intensitet të lartë punimet në aksin Durrës-Morinë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›