“Në qendër të fushatës sonë, morali dhe interesi qytetar, jo shpifjet e sharjet sikurse ‘rruga e vetme’ e opozitës”

Kryeministri Sali Berisha premton në Shijak se ky qytet do të ketë një fillim, të ri, të madh një qendër e madhe biznesi në rajon dhe më gjerë
Kryeministri Berisha ishte dje në Shijak, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Afrim Brahimaj.
Në fjalën drejtuar qytetarëve, kryeministri Berisha u shpreh se në 4 vitet që shkuan, në bashkinë e Shijakut dhe në komunat e tij janë asfaltuar 92 kilometra rrugë dhe vetëm në Shijak janë asfaltuar 16 kilometra, janë ndërtuar dhe rindërtuar 2 shkolla, si dhe është pranuar çdo projekt që bashkia e këtij qyteti, pavarësisht nga ngjyra partiake që ka pasur ka paraqitur në interes të qytetarëve.
Kryeministri Berisha premtoi se në 4 vitet që vijnë qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Brahimaj, për ujë 24 orë, për kanalizime ndër më të sigurtat, për shkolla ndër më modernet, për një infrastrukturë bashkëkohore që do ti japë qytetit vlerat e vërteta.
“Jam sot këtu për tu garantuar ju, qytetarëve dhe qytetarëve të Shijakut dhe të komunave të tij se katër vitet që vijnë do të jenë vitet në të cilat qeveria qendrore me qeveritarët tuaj vendorë do të bëjë gjithçka për interesat tuaja, për hallet tuaja, për dertet truaja, për vizionin tuaj për të ardhmen tuaj, tu garantoj se me kryetrarin e ardhshëm të bashkisë, zotin Afrim do të ndërtojmë gjatë 4 viteve Shijakun, qytetin e Shqipërisë së zhvilluar”, u shpreh kryeministri Berisha.
“Afrim Brahimaj ka kandiduar te ju me moton ‘Së bashku do ta bëjmë Shijakun’ modern, Shijakun e zhvilluar, ndaj dhe unë vij sot tek ju për tu dhëne fjalën se do të mbështesim çdo projekt të zotit Brahimaj, për ujë 24 orë, për kanalizime ndër më të sigurtat, për shkolla ndër më modernet, për planin rregullues që do të hartoni së bashku me të, sikundër pas kalimit të ligjit të amnistisë, Shijaku do të ketë një fillim të madh, të ri, një qendër e madhe biznesi në rajon dhe më gjerë”, vijoi më tej kryeministri
Një vëmendje të veçantë i kushtoi ën fjalën e tij kryeministri Berisha, integrimit të Shqipërisë, si një nga arritjet më të mëdha të vendit
“Këto vite në liri kanë qene vitet më të bukura të jetës sonë, por kanë qenë vite me vështirësi, vite me sakrifica, kanë qene vite dhe me dhimbje, por ne sot, në këtë shesh e shohin drejt në sy njëri-tjetrin me krenari të madhe, sepse ne ia dolëm të mblidhemi sot në këtë shesh, si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Ne së bashku mblidhemi sot, në këtë shesh, si qytetarë që lëvizin të lirë pa viza, në mbarë Evropën. Ne së bashku mblidhemi në këtë shesh pasi kemi dëshmuar me reformat ë thella , me mundin dhe djersën tuaj kemi bërë që ekonomia shqiptare të qëndrojë në krye të rritjes ekonomike në Evropë”, u shpreh Berisha.
Duke ju referuar edhe vlerësimeve të ndrëkombëtarëve, kryeministri Berisha evidentoi edhe sukseset e Shqipërisë në fushën ekonomike, në rritjet e pagave e pensioneve etj.
“Sot janë të shumta vendet, në të cilat ulen rrogat, në të cilat ulen pensionet, në të cilat bie prodhimi, në të cilat rritet papunësia. Cila është e vërteta për Shqipërinë, dhe kjo jo pse e themi ne, por se e afirmoi tre ditë më parë BE. E vërteta për Shqipërinë, thotë Brukseli, është se ekonomia shqiptare është jo në zhvillim, por në vrapim. E vërteta është se papunësia në Shqipëri, jo vetëm që nuk është rritur por është në ulje, se rrogat dhe pensionet po ecin drejt rritjeve më të mëdha, se pensionet e ulëta janë dyfishuar, se rrogat e mësuesve, mjekeve, infermiereve janë mbi-dyfishuar. E vërteta është se vitin e kaluar ekonomia shqiptare në vrapim pati një rritje prej 62 për qind të eksporteve, nga të cilat eksportet bujqësore, industriale, të kësaj zone zënë një vend shumë të rëndësishëm, pra realiteti ynë është një realitet me vështirësi, por me suksese të sigurta, me projekte të realizuara. Kurrë ndonjëherë ky vend, në infrastrukturën e tij nuk ka bërë në të gjitha kohërat, sa ka bërë 4 vitet që shkuan. Kjo është alternative jonë. Alternativa jonë është alternative e mundit, e djersës, e zhvillimit, e vizionit, e respektit, e nderimit, e interesave, e sakrificave, e halleve dhe derteve tuaja. Ne i qëndrojmë kësaj alternative. Ne qëndrojmë së bashku me ju, në moralin tuaj, me punën tuaj, për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj”, u shpreh kryeministri më tej.
Duke u ndalur edhe te kundërshtari i tij politik, Berisha e cilësoi alternativën e tij, si “alternativën e shpifjeve, e sharjeve, e rrugës së vetme”.
“ Krahas kësaj alternative është një alternativë tjetër, ajo e shpifjeve, e sharjeve, e rrugës së vetme. Unë dua ti them zotit Rama se këtë fushatë ne e bazojmë në moralin qytetar, ne e bazojmë në interesin qytetar. Çdo qytet, çdo fshat, çdo komunë, çdo shtëpi ka një kosh ku i hedh mbeturinat. Gjuha e çdo kombi ka një kosh për fjalë të papërshtatshme. Çdo njeri mund të fusë dorën në atë kosh, ne s’do ta fusim dorën në atë kosh, ndaj i themi vazhdo përdor fjalë kazani, siç i quante Faik Konica, ndërsa ne do të bashkohemi me çdo qytetar, për një 8 maj, me një fitore të thellë, fitore të vlerave të qytetarëve, fitore të projekteve të qytetarëve, fitore të fëmijëve të tyre, të së ardhmes së tyre. Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju siguroj se ne 4 vitet që vijnë do të investojmë për ju, në rrugët, kopshtet, shkollat, kanalizimet, fermat tuaja, 4 here me shumë se në katër vitet që shkuan”, siguroi banorët e Shijakut, në përfundim të fjalës së tij kryeministri Sali Berisha.