E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkia në ndihmë të biznesit, do të ulë paketën e taksave deri në masën 50 për qind”

13-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Durrësit, premton lehtësira për gratë që punojnë në industrinë fasone


“Bashkia do të ofrojë falas transportin urban për gratë dhe vajzat e punësuara pranë ndërmarrjeve që punojnë me fason dhe do t’i japë përparësi ndërtimit të kopshteve pranë zonave ku ato banojnë”. Me këto fjalë, Ferdinand Xhaferaj iu drejtua punonjëseve të një rrobaqepësie në Durrës. Ndërkohë, ai tha se “komuniteti i biznesit nuk do të trajtohet vetëm si burim prej nga vilen të ardhura, por edhe si një faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe zgjidhjen e një numri problemesh që qyteti ka”. Xhaferaj garon në zgjedhjet vendore të 8 majit për postin e kreut të Bashkisë së Durrësit në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Pjesë e programit të Xhaferajt është lehtësimi i barrës së taksave lokale dhe ofrimi falas i disa shërbimeve publike për punëtorët, si: transporti urban, apo edhe formimi i tyre profesional përmes arsimit të lartë.  “Në mjaft raste, interesat e pronarëve të një biznesi, siç është edhe kjo rrobaqepësi, dhe interesat e punëtorëve janë disi të ndara, tha Xhaferaj. Por, që të dy palët kanë nevojë për siguri dhe siguria e vazhdimësisë dhe suksesit të biznesit është edhe siguria e punës për punëtorët. Dhe, këtë siguri Bashkia ka për detyrë ta ofrojë”. Në këtë drejtim, programi i kandidatit demokrat Xhaferaj ofron iniciativa konkrete në ndihmë të biznesit. “Bashkia do të ulë paketën e taksave deri në masën 50 për qind, kjo i vjen në ndihmë biznesit, por edhe krijon edhe mundësi për shtimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e pagave”, tha Xhaferaj. Durrësi, për shkak të afërsisë me portin, është vendi ku janë vendosur një numër i madh ndërmarrjesh private që punojnë me material të porositësit nga jashtë, njohur ndryshe edhe si fason. Këto ndërmarrje, të cilat janë kryesisht rrobaqepësi, punësojnë një numër të madh grash dhe kanë nevojë për asistencë në fusha të ndryshme. Lehtësira për gratë që punojnë në industrinë fasone Lehtësira për gratë që punojnë në industrinë fasone, ka premtuar kandidati i mazhorancës për kryetar të bashkisë së Durrësit. Në drejtim të tyre, programi i kandidatit demokrat Xhaferaj parashikon krijimin e kushteve që ato ta kenë më të lehtë punën. Kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e tyre vijnë nga lagjet periferike të qytetit. “Shërbimi urban për ju do të jetë falas, premtoi Xhaferaj, ne do të gjejmë një mënyrë, përmes kontratave të veçanta të rimbursimit ose përmes aboneve, që ju të shkoni e të vini nga puna pa shpenzuar”. Por, Xhaferaj tha se “Bashkia do të t’i lehtësonte gratë edhe nga disa detyrime të tjera”. Kopshtet janë një mangësi e madhe në qytetit e Durrësit. Xhaferaj tha se “Durrësi ka tre herë më pak kopshte se sa nevojiten. Ne do ta shohim me përparësi këtë shërbim dhe do të shtojmë numrin e kopshteve, premtoi Xhaferaj, dhe kopshtet publike do të shërbejnë veçanërisht për atë kategori familjesh që kanë më tepër nevojë”. Teksa i drejtohej vajzave të reja që punonin aty, Xhaferaj tha se “mundësia e studimit part-time pranë Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ është një alternativë shumë e mirë për to që të përgatiten profesionalisht”. Duke bashkëbiseduar më pas me punëtoret,  Xhaferaj mësoi se një pjesë vinin nga zona e Spitallës dhe e Porto Romanos. Pikërisht për këtë, ai tha se “këto dy zona do të trajtohen me përparësi, pasi edhe nevojat atje janë më të mëdha”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›