E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rregull me FMN`në

Nga Express më 19 mars 2011 në ora 16:49

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka diskutuar Projektligjin për Buxhetin 2011 dhe ka rekomanduar që ai të aprovohet në parim nga ligjvënësit. Projektligji për buxhet para anëtarëve të komisionit është prezantuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili bëri një përmbledhje të përgjithshme të të gjitha segmenteve të buxhetit për këtë vit, ndërsa vëmendje të veçantë i kushtoi marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ai tha se në raport me marrëveshjen e tetorit me FMN`në, sa i përket pjesës së të hyrave buxhetore, ka një ngritje prej 109 milionë euro, të hyra këto, që, sipas tij, janë diskutuar në detaje dhe harmonizuar me FMN`në.

“Një pjesë e të hyrave ka të bëjë me ngritjen e të hyrave në Dogana dhe Administratë Tatimore, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me deklarimin e dividentës prej 45 milionë euro nga kompanitë publike, PTK`ja dhe Aeroporti”, tha Hamza.

Ai shtoi se ka përafrim të qëndrimeve me FMN`në rreth çështjes së pagave, ndërsa shfaqi besimin për një përfundim pozitiv rreth kësaj çështjeje. Projektbuxheti iu nënshtrua një debati të gjerë në komision, anëtarët e të cilit ngritën çështje të ndryshme dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit të Financave. Shqetësimet e tyre kishin të bënin kryesisht me marrëveshjen me FMN`në, qëndrueshmërinë e të hyrave dhe qëndrueshmërinë e buxhetit në tërësi, burimet e financimit të autostradës Morinë-Merdare etj, rreth të cilave dha sqarime ministri Hamza.

Projekt-buxheti për vitin 2011 parasheh që gjatë këtij viti të ketë të hyra 1 miliard e 264 milionë euro, me një rritje prej 23.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkaq, shpenzimet parashihen të jenë 1 miliard e 434 milionë euro. Projektbuxheti do të shqyrtohet në lexim të parë në Kuvend, në seancën e paraparë për 25 mars. Rritja ekonomike parashikohet të jetë 5.3 për qind në 2011.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›