E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë milionë euro gjobë “Grandit”

Nga Express më 19 mars 2011 në ora 17:50

Hoteli “Grand” vazhdon të marrë gjobë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), për çdo muaj për shkak se nuk është duke i plotësuar kërkesat që janë të parapara me kontratën e shitblerjes. Rreth shtatë milionë euro i është grumbulluar gjoba të cilën nuk është duke e paguar.

Ndërkohë që kanë kaluar më shumë se pesë vjet prej se është shitur ky hotel në qendër të Prishtinës dhe as investimet prej 20 milionë nuk janë as afër realizimit, shkruan Zëri.

Edhe pse me rregullat e procesit të privatizimit deri më tash është dashur të dalë në ritenderim kjo ndërmarrje, bordi i AKP-së ia ka shtyrë vazhdimisht afatin blerësit Zylqif Berisha për të kryer investimet.

Gjoba mujore e cila i është shqiptuar që sa kohë, kap shumën prej 198 mijë euro. Sipas zyrtarëve të AKP-së, ata janë duke monitoruar vazhdimisht këtë ndërmarrje dhe se ende nuk është liruar nga raportimi në AKP për shkak të mospërmbushjes së zotimeve.

Ndërsa pronari i hotel “Grand”, Zylqif Berisha, nuk ka dashur të përgjigjet rreth çështjes së gjobitjes që është duke e aplikuar AKP-ja në drejtim të tij edhe përkundër insistimeve të shumta për ta kontaktuar atë.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP, ka thënë se AKP-ja konform përmbushjes apo mospërmbushjes së zotimeve nga ana e blerësve aplikon edhe masat ndëshkuese apo gjobat në drejtim të tyre.

Sipas tij, blerësi i Hotelit “Grand” nuk i ka përmbushur zotimet në nivelin e kënaqshëm, dhe për këtë arsye shqiptohen ndëshkimet financiare në baza mujore.

“Deri më tani ndëshkimet e shqiptuara janë 6 milionë e 928 mijë euro, apo për çdo muaj nga 189 mijë e 566 euro gjobë”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›