E Diel, 1 Nëntor 2026

Në rrënjët e kancerit

Një grup studiuesish të projektit të gjenomës së kancerit ka arritur të përftojë hartën komplete të ADN-së për dy lloje tumoresh: atë të mushkërive dhe melanomës (tumor malinj i lëkurës). Në praktikë, katalogu i detajuar i të gjitha mutacioneve, ka lidhje me transformimin e një qelize të shëndetshme në një të sëmurë. Ky është një studim shumë i rëndësishëm, sepse në të ardhmen, mund të zbulohen barna që të veprojnë mbi gjenet mutante të çdo pacienti

Harta komplete e gjenomës së një qelize tumorale humane është gati. Tashmë është njësoj si të kemi një fotografi të detajuar të të gjitha mutacioneve të pranishme në 2 metra ADN, të përdredhur në 46 kromozome. Gjërat e mësuara deri tani janë të shumta dhe përbëjnë bazën për të ndërhyrë në një tumor, gjë që do të shënojë edhe të ardhmen e afërt.

Më shumë se sa për një hartë të vetme, në fakt duhet të flasin për disa harta të ndryshme. Revista shkencore “Nature” ka publikuar së fundmi hartat e një melanome dhe një tumori në mushkëri. Më parë studiuesit kishin shkëputur hartat e një kanceri në gji, veshkë dhe atë të leucemisë. Në dy vitet në vazhdim erdhën një sërë sekuencash të tumoreve nga një bashkëpunim mes “Cancer genome atlas program” (Atlasi i programit të gjenomës së kancerit) dhe institutit “Us National cancer institute” në Marilend.

Studimet për melanomën dhe tumorin në mushkëri janë tepër të rëndësishme, edhe falë rezultateve të arritura nga autorët, studiuesit e projektit të gjenomës së kancerit, instituti “Wellcome trust Sanger institute”, si dhe Universiteti i Kembrixhit, të udhëhequr nga gjenetisti Mike Stratton. Rezultati kryesor, që rrjedh nga analiza e një qelize të shkëputur nga metastazat e një tumori në palcën kurrizore të një pacienti me mikrocitomë, është prania e 22,910 mutacioneve, prej të cilave 134 në zona të rëndësishme, të gjeneve të veçanta.

“Nëse krahasojmë gjenomën tonë me një enciklopedi të përbërë nga 46 libra (që në këtë rast janë kromozomet) dhe rreth 40 mijë faqe (gjenet) të shkruara prej 1500 karaktereve, në atë tumor në mushkëri gjenden 22,910 gabime të ndryshme ortografike, prej të cilave 134 janë jashtëzakonisht të mëdha sa mund të deformojnë kuptimin e veprës”, thotë drejtori i një laboratori të gjenetikës molekualre dhe ish- nxënës i Bert Vogelstein, shkencëtar i “Johns Hopkins University” (SHBA), si dhe pionier i terapive të kancerit të bazuara mbi analizën gjenomike. Në rastin e melanomës me metastaza, te një pacient 43-vjeçar, mutacionet ishin 33,345.

Problemi është që të kuptojmë se cilat nga këto mutacione janë të zakonshme te të gjithë pacientët e prekur nga një lloj i veçantë tumori, cilat janë karakteristikat e pacientit dhe cilat janë shkaqet që përbëjnë një lloj të caktuar kanceri. Pra është një situatë pak e ndërlikuar. Falë krahasimeve të bëra si me qeliza të shëndetshme ashtu edhe ato të prekura nga lloje të tjera tumoresh, studiuesit kanë arritur të nxjerrin përfundime të rëndësishme. Ata kanë identifikuar disa mutacione që i atribuohen 60 substancave kancerogjene të duhanit. Këto mutacione lidhen me përbërësit e ADN-së dhe përcaktojnë gabimet në përsëritje, edhe pse nuk ka mutacione që shkaktojnë tumorin në mushkëri, të cilat i atribuohen tymit të cigares. Sipas studiuesve, mesatarisht 15 cigare shkaktojnë një mutacion. Ndërkohë dimë që një individ tymos mesatarisht rreth 18 mijë cigare për një vit. “Të tymosësh një paketë cigare në ditë është njësoj si të luash ruletë: topi do të ndalet në një pikë ose në një tjetër, kështu do të ndodhë edhe me mutacionin. Ai do të ndalojë në një zonë të gjenomës ose në një tjetër. Nëse përfundon në një gjen të kancerit, atëherë punën e kemi pisk”, shpjegon një studiues.

Në të ardhmen, këto studime do të na çojnë në një hap më larg në luftën kundër kancerit: “Deri para pak kohësh, terapitë përcaktoheshin në bazë të analizës histologjike. Por tumore të ngjashme me analizën histologjike mund të jenë gjenetikisht të ndryshme dhe ka raste që një pacient t’i nënshtrohet një terapie, e cila nuk ka lidhje me kancerin e tij”, shton studiuesi. Disponueshmëria e hartave të tumoreve të detajuara gjenetike premton mundësinë për të diagnostikuar se cilat gjene janë me mutacione dhe e ndihmojnë pacientin të marrë terapinë e duhur. Kështu mund të ndodhë që dy persona me analiza histologjike të njëjta të diagnostikohen në mënyra të ndryshme. Këto parashikime janë realiste, edhe pse të bazuara në përvojën e fundit. Një rast tjetër interesant është ai i kancerit në zorrën e trashë: “Fillimisht përdornim dy lloje barnash, “cetuximab” dhe “panitumumab”, të cilat ishin në gjendje të vepronin në fazën e metastazave. Por e kuptonim menjëherë se pacientët me tumore të padallueshëm ndaj analizës histologjike i përgjigjeshin ndryshe kurave”, thotë studiuesi. “Nga pikëpamja gjenetike, tumoret ishin të ndryshëm dhe te disa pacientë kurat jepnin efekt dhe te disa të tjerë jo”.

Kështu, në tri vitet e fundit, studiuesit janë përpjekur të kuptojnë nëse kishte mutacione të veçanta, të cilat ishin të pranishme vetëm te disa të sëmurë dhe jo te të tjerët. “Një gjen, i quajtur ‘Kras’ është mutant te pacientët që nuk reagojnë ndaj barnave. Një grup onkologësh italianë kanë shpikur një test për të identifikuar mutacionin tek të sëmurët”. Nëse kostoja e testit është 200 euro, ajo e një terapie me “cetuximab” ose “panitumumab” varion nga 20 deri në 30 mijë euro. Ndërkaq, nga studimi i testit klinik kanë kaluar pothuajse tre vjet. Hapi tjetër do të jetë zgjedhja e pacientëve, duke ekzaminuar mutacionet e gjeneve të tjera, për të gjetur kurën e dobishme.

Nëse rasti i kancerit në zorrën e trashë përbën një shembull se si mund të ndryshojë lufta kundër kancerit, studimet e publikuara në revistën shkencore “Nature” ju ndihmojnë të vlerësoni vështirësitë: “Gjenet mutante te një numër i madh pacientësh janë të pranishme në lloje të ndryshme kanceri. Kështu është e qartë se kanë një rol të rëndësishëm në rritjen e llojeve të ndryshme të tumoreve. Gjene të tjera janë mutantë te disa pacientë dhe në këtë rast, situata është më e komplikuar: për të përcaktuar terapinë, fillimisht duhet kuptuar funksioni i saj”, thotë studiuesi.

Pavarësisht aspekteve ende të paqarta, studimi i shkencëtarëve amerikanë tregon praninë e mutacioneve vetëm te një përqindje e vogël pacientësh të prekur nga kanceri në mushkëri. “Mbi këtë bazë mund të gjenden terapi për çdo pacient. Ndërkohë po punojmë për të identifikuar mutacionet dhe për të gjetur terapitë më të dobishme, duke përdorur analiza më specifike se ato aktuale: përmes analizave molekulare mbi një kampion gjaku, feçes dhe urinës”, thekson studiuesi. “Studimet e publikuara në revistën shkencore ‘Nature’ vërtetojnë edhe një herë premtimin e studiuesve që flasin për revolucionin e ADN-së në onkologji: të identifikojnë gjenet mutante dhe t’i modifikojnë ato, ose të ndërhyjnë me molekula të cilat janë të afta të veprojnë mbi to. Kontributi shkencor është më i rëndësishëm në frontin e kurimit, se sa në atë të parandalimit dhe diagnozës së parakohshme. Në këtë rast, analizohet ADN-ja e tumorit kur ai është shfaqur, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që njohja e gjeneve mutante mund të mund të bëjë të mundur njohjen e shkaqeve. Për parandalimin duhet të njohim profilin gjenetik të personit të shëndetshëm për të parë nivelin e tij të rrezikut. Në këtë pikë mund ta mbrojmë me programe speciale parandaluese. Për momentin nuk kemi se çfarë të bëjmë për gratë e shëndosha që kanë trashëguar gjenet mutante “Brca 1” ose “Brca 2”, të cilat janë të rrezikuara nga kanceri i gjirit dhe vezoreve”, shpjegon studiuesi.

Për kancerin në mushkëri, disa studime tregojnë se ka ndryshime mes dy gjinive dhe ka gjasa që këtë ta konfirmojnë studimet e mëvonshme gjenetike. “Duke i marrë të dyja gjinitë në studim, si mashkullin ashtu edhe femrën, duket se kjo e fundit është më e rrezikuar nga kanceri në mushkëri nga 1,2 në 1,7 herë se sa mashkulli. Ndoshta ky rezultat nuk do t’u pëlqejë shumë femrave, por ato duhet ta dinë se ekzistojnë shumë ndryshime biologjike, hormonale dhe gjenetike mes dy gjinive”, thotë një doktoreshë. Sipas saj, për shembull metabolizmi i nikotinës te femra ndryshon nga ai i mashkullit.

Ndryshimi radikal në strategjinë kundër kancerit është rezultat i projektit të gjenomës humane nga nobelisti Renato Dulbeço në vitet ‘80. “Kur filluam studimin, në vitin 1987, kishim shumë vështirësi, por tani, pas një përvoje të gjatë pune, kemi filluar të vjelim frytet e para të studimit kundër kancerit”.
Pavarësisht këtyre progreseve, sforcoja mbetet jashtëzakonisht e madhe: “Këto operacione duhet të përsëriten për miliona gjenoma të kancerit para se të arrihet një karakteristikë konkrete. Fakti pozitiv është se të dhënat hidhen në internet dhe në këtë mënyrë të gjithë shkencëtarët mund të shohin rezultatet e arritura nga një studim”, thotë doktoresha. Ndërkohë duhet të shpresojmë që në të ardhmen do të kemi të reja mbi këtë fushë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›