E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një revistë për nxënësit e shkëlqyer në kryeqytet

Bashkia Tiranë

Një revistë për nxënësit e shkëlqyer të kryeqytetit. Kjo është iniciativa më e fundit e Bashkisë së Tiranës që promovoi dje revistën “TEN”. Kjo konsiderohet një nismë për t’i vlerësuar ata si modele dhe shembuj të rinisë kryeqytetase. Kjo revistë do të përmbajë intervista dhe profile të nxënësve më të mirë, evente kulturore dhe sociale për moshat e reja, aktivitete që zhvillojnë të rinjtë jashtë programit mësimor. Por aty do të ketë hapësirë edhe për promovimin e projekteve individuale. Gjithashtu, aty do të pasqyrohen edhe nisma ndërgjegjësuese mbi çështje të rëndësishme, aktivitete promovuese të vlerave, të rejat më të fundit nga fushat e interesit të të rinjve, si dhe informacione mbi shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale që mund të ndiqen, pas përfundimit të shkollës 9-vjeçare. Revista do të ketë një rubrikë të veçantë që do t’u kushtohet mësuesve, si intervista me ata që bëjnë punë të shkëlqyer në edukimin e brezit të ri, profile arsimtarësh dhe shkollash. Kryebashkiaku Rama, i pranishëm në promovimin e kësaj reviste, dhe duke iu drejtuar të pranishmëve, u shpreh: “Kjo është revista ku ju duhet të ndiheni pronarë, të ndiheni botues, të ndiheni kontribuues, një revistë që duhet ta shihni si një pasqyrë, ku jo të shihni veten, por të shihni njëri-tjetrin dhe përmes kësaj pasqyre të gjithë ata që mësojnë e shkollohen në Tiranë, të mund të mësojnë nga njëri-tjetri, të mund të ndajnë shumëçka që mendojnë, shkruajnë, ëndërrojnë”.
Sipas Ramës, Bashkia e Tiranës e mbështet këtë nismë e cila do të lehtësojë koordinimin e energjive, ideve, mendimeve të të rinjve, të mësuesve, të ekipeve drejtuese të të gjitha shkollave, prindërve, me qëllimin për ta bërë këtë revistë, revistën e nxënësve të dalluar. “Do të jenë vetë nxënësit autorët e kësaj reviste, e cila do të mundësojë që nëpërmjet kësaj nisme, të rinjtë dhe mësuesit të forcojnë dëshirën e shembullin pozitiv për të gjithë komunitetin tonë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›