E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksistët, kundër liberalizimit të tregut të licencave nga MPPTT

Protesta

Shoqata e taksistëve të Tiranës ka bllokuar sheshin qendror të kryeqytetit, si shenjë proteste kundër informalitetit, përballë të cilit sikundër pohojnë edhe vetë, rrezikojnë falimentin. Por shqetësimi më i madh i taksive të licencuara ka qenë ai lidhur me liberalizimin e lejeve të ushtrimit të profesionit të taksistit. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka vendosur liberalizimin e plotë të këtij tregu dhe çdo i interesuar mund ta ushtrojë këtë profesion në çdo qytet. Ky vendim i ri ka hedhur poshtë rregullin e mëparshëm që numri i licencave të taksive jepej në përputhje me numrin e banorëve të çdo bashkie.

Rreth 300 makina taksi janë shndërruar në një barrikadë të vërtetë dje në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit. Makinat e verdha kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve të tjera mesditën e djeshme në të gjitha akset e tjera rrugore që rrethojnë këtë shesh.

Ndërkohë që, sipas drejtuesve të shoqatës së taksistëve, kjo nuk do të jetë protesta e vetme. Pas dhjetë ditësh ata do t’u rikthehen sërish protestave, në rast se kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh. Përfaqësuesit e shoqatës së makinave të verdha të licencuara kanë kërkuar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të ndalojë dhënien e licencave. Që prej shumë vitesh tashmë shoqata e taksistëve proteston në mënyrë të vazhdueshme, pasi ata çdo ditë, përveç rrezikut që sjell puna në rrugë, përballen edhe me konkurrencën e pandershme nga ana e të palicencuarve që ofrojnë çmime më të lira.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›