E Diel, 1 Nëntor 2026

E denoncoi gruaja, tenton disa herë vetëvrasjen

Durrës

Vendimi i gjykatës në mbrojtje të gruas dhe vajzës së tij e ka shtyrë një 52-vjeçar të ndërmarrë disa tentativa vetëvrasjeje. Ndërsa ka tentuar disa herë të hidhet nga lartësitë, një ditë më parë Kujtim K. ka dëmtuar rëndë duart dhe është dërguar në spitalin e qytetit. Me të marrë njoftimin janë kryer hetimet e para, nga të cilat ka rezultuar se është një vetëdëmtim i 52- vjeçarit që e ka kryer në gjendje dëshpërimi dhe pamundësie për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Durrësit. Në bazë të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, këtij personi i është ndaluar që për 20 ditë të shkojë në apartamentin ku jeton familja e tij. Denoncimi për dhunë familjare ka çuar në marrjen e këtij vendimi që ka shkaktuar një tronditje të fortë te Kujtim K., me origjinë nga Kukësi dhe banues te një nga pallatet e reja në lagjen 12 të qytetit bregdetar. Pak ditë më parë, ky person tentoi të hidhet nga mbikalimi i këmbësorëve që ndodhet pranë stacionit hekurudhor në Durrës. Burime policore bëjnë të ditur se ky shtetas është kthyer në një problem gjatë ditëve të fundit, pasi tenton në mënyrë të vazhdueshme të ndërmarrë akte vetëvrasëse në publik.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›