Grinden për pronat, plagosen babë e bir
Durrës
Problemet me pronat kanë çuar drejt krimit një 50-vjeçar. Babë e bir janë plagosur rëndë me thikë prej tij pas një konflikti për çështje pronësie. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 8 të qytetit bregdetar, ku banojnë personat e përfshirë në konflikt. Nazif Zoku, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, është arrestuar në flagrancë dhe akuza e ngritur ndaj tij është vrasje e mbetur në tentativë. Dy të plagosurit, babë e bir, I.Z. dhe A.Z., përkatësisht 43 dhe 18 vjeç, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Durrësit. Policia bëri të ditur se në cilësinë e provës materiale është bllokuar arma e ftohtë e krimit, një thikë me të cilën Zoku ka goditur disa herë të dëmtuarit.
#