Qëllohet me armë në kasollen e bagëtive, mister shkaqet
Një vajzë 17 vjeçe nga fshati Vokopolë i Beratit është plagosur me armë zjarri në kasollen e bagëtive pranë banesës së saj dhe është dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi në orët e vona të natës së të martës. Në orën 01.00 të mëngjesit, 17-vjeçarja K. Gorani u paraqit në spitalin e Beratit e plagosur me armë zjarri dhe në këtë kohë u njoftua edhe policia. Burime pranë repartit të kirurgjisë në këtë spital bëjnë me dije se vajza kishte një plagë të madhe në kofshë. Mjeku Eduart Bejko tha se plaga mund t’i rrezikonte edhe prerjen e këmbës, ndaj u vendos dërgimi i saj drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekut, plagosja që duhet të ketë qenë armë gjahu dhe qitja është bërë nga afër. Ndërkohë, ekspertët e policisë mësuan se vajza është gjetur e plagosur nga familjarët e saj në kasolle. Ata thanë se kanë dëgjuar vetëm krismën dhe nuk dinë asgjë për rrethanat e ngjarjes. Ekspertët e policisë udhëtuan dje drejt fshatit Vokopolë, ku mësuan se vajza kishte qenë duke mbyllur bagëtitë në kasolle kur është qëlluar me armë gjahu nga persona ende të paidentifikuar.
#