Në spital, pa rekomandim paguan 4 herë më shumë
TIRANE- Spitalet mbyllin dyert për vizitat ambulatore. Asnjë diagnostikim nuk do të kryhet në mjediset spitalore nga e hëna e javës së ardhshme pa rekomandimin e mjekut të Familjes. Në këtë mënyrë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të zbatojë sistemin e referencës, si e vetmja mënyrë për të kontrolluar vizitat e pacientëve në spital dhe evituar korrupsionin në radhët e bluzave të bardha. Ky vendim përjashton rastet e urgjencës, të cilat mund të pranohen për trajtim në spital pa rekomandimin e mjekut. Ndërkaq, qytetarët që nuk janë të përfshirë në skemën e sigurimeve dhe nuk marrin rekomandimin e mjekut të Familjes, do të paguajnë tarifat në spitale të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Tarifat variojnë nga 2500 lekë të vjetra për vizitat, deri në 4 mijë lekë të reja, apo dhe për diagnostikime të tjera.
Urdhri i ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, parashikon edhe një sërë masash administrative që do të merren për bluzat e bardha që marrin përsipër të trajtojnë pacientët në rastet kur ata nuk janë të përfshirë në sistemin e referencës. Edhe pse prej kohësh ky sistem kishte nisur të zbatohej, kishte hasur në probleme për faktin se pacientët preferonin të paguanin ryshfet tek mjekët për vizita, duke evituar taksat e vendosura nga spitalet.
Ky vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë vjen menjëherë pas përfshirjes së sistemit spitalor në skemën e sigurimeve shëndetësore. Të gjitha tarifat do të jenë të afishuara së bashku me oraret përkatëse duke nisur nga dita e hënë pranë çdo qendre spitalore, ku edhe kryhen vizitat mjekësore.
(s.g/GSH/BalkanWeb)