E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në sulm për të joshur

19/02/2005  Me shpresën për të zbutur disi hatërmbetjet nëpër kryeqytetet e Evropës, Shtëpia e Bardhë do dërgojë Presidentin Bush në një udhëtim të rëndësishëm në kontinentin e vjetër

Arti i gjeopolitikës, në këtë rast bën gati skenën për një darkë intriguese mes Bushit dhe Shirakut në rezidencën e ambasadorit amerikan në Bruksel, të hënën, ditën e Presidentëve të Amerikës

Ajo që thotë Presidenti ka gjasa të ketë shumë më tepër impakt sesa si e thotë dhe ku e thotë. Bushi nuk po udhëton në Evropë për të shfaqur shenja përulësie apo kërkuar falje për gabime të së kaluarës – dhe nëse udhëheqësit evropianë presin pikërisht këtë, ata me siguri që do të zhgënjehen

Ai nuk mban perla dhe nuk ka aspak gjasa që të konsiderohet si njeri joshës. Presidenti Bush ka shumë cilësi, por mirëseardhja që do të mund t’i rezervohet në Evropë javën e ardhshme nuk do arrijë kurrë të barazohet me pritjen që iu rezervua Sekretares së tij të Shtetit, gjatë vizitës që ajo vetë bëri në kontinent gjatë janarit. Pa premtimin e një recitali pianoje, apo një fjalimi drejtuar intelektualëve parizienë, a mundet Presidenti i Shteteve të Bashkuara të joshë udhëheqësit evropianë, në udhëtimin e tij të parë jashtë qëkurse nisi mandati i dytë presidencial?

Nuk do të jetë e lehtë. Duke lënë mënjanë kiminë trupore, të dy palët vështirë që të kenë harruar serinë e qortimeve dhe mërive që nisën disa vite më parë, kur Condoleezza Rice u tha ambasadorëve evropianë në Uashington se Marrëveshja e Kiotos në lidhje me ngrohjen globale ishte e vdekur. Ajo që ndodhi më pas mund të ishte për të qeshur, nëse nuk do të ishte aq shumë serioze. A u ndie me të vërtetë e “plagosur” NATO, nga fakti që nuk u pyet për të marrë pjesë në luftën në Afganistan? A u përpoq me të vërtetë SHBA të ndërhyjë në zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, duke iu kundërvënë Gerhard Shrëderit? A beson me të vërtetë Zhak Shirak në një gjë aq të “trashë” sa multipolariteti?

Shenja më e qartë që tregon se të dy palët duan të puthen e të pajtohen është kujdesi i jashtëzakonshëm që ka rrethuar këtë udhëtim. Në letër, udhëtimi i Bushit është një ushtrim, terreni i të cilit është përgatitur me kujdes, një ushtrim për ledhatimin e sedrës – është ai lloj masazhi diplomatik, të cilin administrata e Bushit ka treguar tashmë se e ka shumë të vështirë ta bëjë.

Natyrisht, fillon nga francezët. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se e kishte radhën Shiraku që të vinte në Uashington, përderisa vizita e tij e fundit në Amerikë është zhvilluar tre vjet e gjysmë më parë, menjëherë pas 11 shtatorit 2001. (Bush ka shkuar dy herë në Francë gjatë dy viteve të fundit). Duke përmendur një program shumë të ngjeshur udhëtimesh të brendshme, ndihmësit e Presidentit nuk mund të gjenin kohë për Presidentin francez përpara udhëtimit në Evropë, kështu që ofruan një darkë private në Bruksel – që do të ndodhte përpara se Bushi të udhëtonte për në Gjermani. “Ishin probleme programimi që nuk lejuan Shirakun të vijë në Uashington. Ai dëshironte të vinte përpara udhëtimit të Bushit”, thotë një zyrtar i lartë i administratës.

Arti i gjeopolitikës, në këtë rast bën gati skenën për një darkë intriguese në rezidencën e ambasadorit amerikan në Bruksel, të hënën. Ditën e Presidentëve të Amerikës. Fyerjet e të shkuarës dhe ato të së ardhmes qëndrojnë në fakt në të dy anët e tryezës së darkës. Franca vazhdon të ndihet e mospërfillur në lidhje me Irakun, ku oferta e saj për të trajnuar oficerët e policisë ushtarake është refuzuar. Dhe administrata e Bushit mbetet thellësisht dyshuese në lidhje me Iranin, ku mendon se francezët e mbështesin pak si tepër regjimin dhe njëkohësisht shumë të gatshëm të rrisin tregtinë për t’i dhënë fund programeve bërthamore të regjimit islamik.

Kjo është arsyeja përse Shtëpia e Bardhë ka ndërmend të injorojë të gjithë bisedimet në lidhje me multipolaritetin – vizioni i Shirakut për një botë me disa superfuqi – për t’u përqëndruar në pika të marrëveshjes, si nxitja e demokracisë apo Roadmapi izraelito-palestinez drejt paqes. “Do të dëgjoni Presidentin të flasë për vlera të përbashkëta”, thotë një këshilltar i lartë. “Ne duam të punojmë me francezët dhe gjermanët për të mbështetur këta objektiva. Nuk duam që në komunitetin ndërkombëtar të grinden me njëri-tjetrin në lidhje me ideologjitë. Duhet të ulin e t’i bëjnë së bashku përpjekjet”. Kjo përfshin edhe ofertën franceze për të trajnuar policët irakenë. “Do të ishim shumë të kënaqur që francezët të bënin këtë në atë mënyrë që dëshiron qeveria irakene”, thotë këshilltari. “Do të ishte shumë mirë për francezët dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Ky lloj trajtimi zgjerohet për të gjithë Bashkimin Evropian. Pas darkës me Shirakun, Bushi do të takohet me të gjithë kombinimet e mundshme të udhëheqësve perëndimorë – në NATO, në Bashkimin Evropian, dhe me udhëheqësit e vendeve të ndryshëm. Nuk ka asnjë gjë për t’u injoruar. Bush do të takohet madje edhe me një grup jo shumë të qartë, të njohur si Trojka e BE, që përfaqëson vendin që mban presidencën e BE (Luksemburgu), shefin e politikës së jashtme të BE (Havier Solana) dhe Presidentin e Komisionit Evropian (Hoze Manuel Barroso). Më pas do të niset për në Mainz, në Gjermani, për një takim me Shrëderin, në të cilin është parashikuar edhe një aktivitet i tipit të tryezës së rrumbullakët, me “folk të vërtetë gjerman”.

Sigurisht, ka shumë pika mosmarrëveshjesh, përfshirë sidomos periudhën para nisjes së luftës në Irak dhe trajtimin që amerikanët u bëjnë të ndaluarve në Guantanamo Bay. Ka gjithashtu arsye të tjera për t’u ndarë në lidhje me Iranin dhe heqjen e embargos së armëve ndaj Kinës.

Në të njëjtën kohë, ka arsye për të shpresuar, të paktën sa i përket konfliktit izraelito-palestinez dhe Irakut – ku dy qeveri të reja mbajnë në duar çelësat për ndryshime reale. Dhe në politikën botërore, ky nuk është nëj kombinim i vogël. Dihet tashmë që marrëdhëniet transatlantike u përmirësuan gjatë vitit të fundit, që kur udhëheqësit në të dy anët e oqeanit nisën të shqetësohen për spiralen e dhunës që mbërtheu Lindjen e Mesme. Me pezullimin në një farë kohe të kryengritjes në Irak, dhe rënien e konfliktit izraelito-palestinez, të dy palët e kuptuan se çfarë kishin për të këmbyer: Evropës i duhen Shtetet e Bashkuara në Izrael, dhe Shteteve të Bashkuara u duhet Evropa në Irak.

A do të mirëpritet Bush njësoj si Condi, kjo varet nga diçka më e madhe se shpresa. Ajo që thotë presidenti ka gjasa të ketë shumë më tepër impakt se sa si e thotë dhe ku e thotë. Bushi nuk po udhëton në Evropë për të shfaqur shenja përulësie apo kërkuar falje për gabime të së kaluarës – dhe nëse udhëheqësit Evropianë presin pikërisht këtë, ata me siguri që do të zhgënjehen. Në vend të kësaj, siç shpjegoi Bushi kur bëri të ditur për udhëtimin që në mes të nëntorit, qëllimi i vizitës është i thjeshtë: “Eshtë për t’u kujtuar njerëzve se tani bota është një vend më i mirë, po kështu Amerika, po kështu Evropa, kur punojmë së bashku”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Dhe, duke punuar së bashku, mund të arrijmë shumë objektiva. Kemi arritur shumë duke ndjekur këtë rrugë”.

Praktikisht, kjo do të thotë një udhëtim që nis me një fjalim krenarie në Bruksel, për demokracinë dhe lirinë. Por njëkohësisht, do të thotë një udhëtim që përfundon në Bratislavë, Sllovaki, për një takim të vështirë me Presidentin rus, Vladimir Putin. A do të thotë nxitja e demokracisë, tërheqje veshi Putinit për të mos futur më hundët në Ukrainë? A do të thotë një tjetër tërheqje veshi për t’i dhënë fund bashkëpunimit bërthamor të Rusisë me Teheranin?

Gjithë udhëtimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara në kontinentin e vjetër do të kontribuojë mbi të gjitha për një gjë shumë të rëndësishme: ai do të na japë shenjën më të hershme, nëse diplomacia e Bushit në mandatin e dytë do të ketë sukses, atje ku dështoi në mandatin e parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›