E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spiro Duni

19/02/2005  Kur rrënohet familja...

Drama në familje, rrënimi shpirtëror i saj, përplasja e egër e karaktereve, që sjell mungesën e kominikimit apo edhe paraja, qëllim në vetvete, janë disa nga problematikat që trajton "Macja mbi çatinë e nxehtë", shkruar nga Tennessee Williams, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar, me regji të Spiro Dunit

Dihet se shumë shpesh pasuria, trashëgimia, paratë, kanë shkatërruar njeriun dhe, kjo e bën tmerrësisht aktuale këtë vepër. Eshtë një nga temat më të prekshme, që po e ndeshim gjithmonë e më shumë në shoqërinë tonë. Kjo vepër, nuk është thjesht një dramë me ato intrigat e zakonshme të dramaturgjisë, përfshi edhe dramaturgjinë antike, por është drama e karaktereve dhe simboleve, ku në përplasjen e egër midis tyre, personazhet zbulojnë karakteret e tyre, atë ç'ka ata janë në thelb

Regjisori Spiro Duni përgatitet të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar një nga kryeveprat e dramaturgjisë së shek. të XX: "Macja mbi çatinë e nxehtë", të Tensi Uilliams. Me një kast aktorësh profesionistë, ku spikasin emra të mirënjohur të skenës shqiptare, si Bujar Lako, Alfred Trebicka, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Olta Daku, Dritan Boriçi etj., Duni përpiqet t'u bjerë "këmbanave të alarmit", që paralajmërojnë dhe tregojnë rrënimin moralo-shpirtëror të familjes, edhe në shoqërinë shqiptare, një "fenomen që në vendin tonë është edhe më i egër se në vende të tjera, ku kapitalizmi është në një fazë më të stabilizuar". Regjisori Duni është i bindur se vepra do të vijë në skenë "me ultrarealizëm dhe me një mjeshtëri aktori maksimale, pasi është vetë vepra që e kushtëzon një gjë të tillë".

Një vepër që pasqyron degradimin e familjes...

Dihet se shumë shpesh pasuria, trashëgimia, paratë kanë shkatërruar njeriun dhe, kjo e bën tmerrësisht aktuale këtë vepër. Gjithashtu, kjo vepër nuk është thjesht një dramë me ato intrigat e zakonshme të dramaturgjisë, përfshi edhe dramaturgjinë antike, por është drama e karaktereve dhe simboleve, ku në përplasjen e egër midis tyre, personazhet zbulojnë karakteret e tyre, atë ç'ka ata janë në thelb. Në qendër të veprës janë babai dhe djali i tij, Briku, që interpretohen respektivisht nga Bujar Lako dhe Alfred Trebicka. Gjetja e autorit është e përkryer, pasi, ndërsa babai feston vitin e 65-të të lindjes, analizat kanë treguar se ai vuan nga kanceri, fakt për të cilin, si ai, ashtu edhe e shoqja, nuk janë në dijeni. Këtu fillon vepra... Briku, djali i tij më i dashur është akuzuar prej tij, për një marrëdhënie homoseksuale, që, në fakt, nuk është e tillë dhe, pikërisht, është ky djalë i cili do t'i thotë të atit të vërtetën e tmerrshme për sëmundjen e tij. Një fakt tragjik i zbuluar mjeshtërisht nga autori, i cili thotë se, pavarësisht se ata e donin shumë njëri-tjetrin, kur vjen përplasja e unave, egoizmi është në parametra maksimalë, duke i mbyllur shtigjet dialogut apo edhe komunikimit të thjeshtë... Eshtë një nga temat më të prekshme, që po e ndeshim gjithmonë e më shumë në shoqërinë tonë. Ne jemi dëshmitarë të dhjetëra e dhjetëra familjeve që janë shkatërruar, ndërkohë që shoqëria i konsideronte shumë të konsoliduara. Në fakt, nuk ka qenë aspak ashtu në thelb, realiteti e ka provuar këtë, madje, ne shohim çdo ditë makabritete dhe mund të them pa frikë se te ne, këto fenomene, janë edhe më të egra se në vende të tjera, ku kapitalizmi është më i stabilizuar. Ndërsa te ne mëson se babai vrau të birin apo anasjelltas, kushëriri vret kushëririn... besoj se kjo është një nga arsyet kryesore që drama do të ngacmojë, do të sjellë reflektim, do të ndikojë shumë te artëdashësit tanë.

Si do ta paraqesni këtë vepër para publikut në aspektin regjisorial?

Vepra do të vijë para publikut me një karakter ultrarealist. Do të kemi të bëjmë me një përballje të egër midis personazheve, e cila do të vijë me një mjeshtëri aktrimi të shkëlqyer nga vetë aktorët, një klas që ta kushtëzon vetë vepra, e cila ka dy akte me dialogje për të kaluar tek i treti, që është një përmbledhje. Pra, vetë vepra bazohet te mjeshtëria e lartë e aktorëve. Përpos kësaj, edhe zgjidhja figurative që është një tjetër element i rëndësishëm, e konceptuar në "gri", për të dhënë rrënimin e kësaj familje në aspektin moral e shpirtëror. Pasuria ekziston, por nuk ka shpirt, pasi, përveç Brikut, pjesa tjetër e familjes është mbledhur për të rrëmbyer ç'të mundë, nga një njeri, të cilit në ditën e ditëlindjes do t'i japin edhe lajmin e tmerrshëm, se ai vuan nga kanceri. Edhe efektet zanore kanë një paralelizëm të jashtëzakonshëm me gjendjen emocionale që përjeton familja, muzika do të jetë nga Vagner si edhe një motiv nga një këngë e Rei Çarls, që do të jetë motivi i Brikut, i cili po degradon nga dita në ditë. Ndërsa skenografia dhe kostumografia është e Ledja Hajdarit, me të cilën kam patur edhe dy bashkëpunime shumë të suksesshme, një vajzë me shumë vizion, imazh, kulturë dhe shumë e përkushtuar në atë që bën.

Kush do të jenë disa nga aktorët kryesorë që do të interpretojnë në dramë?

Përveç Bujar Lakos dhe Alfred Trebickës, që përmenda edhe më lart, do të jenë Olta Daku, në rolin e nënës së familjes, Luiza Xhuvani, në rolin e bashkëshortes së Brikut, Dritan Boriçi, në atë të djalit tjetër të familjes, Guperit dhe Rajmonda Bulku, si bashkëshortja e tij, si edhe aktorë të tjerë.

Olta Daku në rolin e nënës...

Ndoshta duket jo normale, por dy bashkëpunimet e mëparshme që kam patur me të, më kanë bindur se ajo është një aktore shumë dimensionalëshe dhe e aftë për të luajtur rolin e nënës.

Kur mendoni se do të jeni gati për t'ia prezantuar veprën publikut?

Kemi menduar se rreth 50 ditë prova do të jenë të mjaftueshme për përgatitje. Në rast se të gjitha gjërat do të shkojnë sipas parashikimeve, shpresojmë se në ditët e para të muajit prill, drama do të jetë gati për t'u prezantur në skenë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›