E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në të gjithë Shqipërinë, 11 623 gra kryefamiljare

TIRANE - Plot 11 623 gra kryefamiljare janë regjistruar pranë Shërbimit Social Shtetëror për të përfituar ndihmën ekonomike. Në mbështetje të Nenit 5, të Ligjit Nr. 10 399, përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, familjet në nevojë kur kanë si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension.

Për pasojë, kjo kategori mund të përfitojë ndihmën ekonomike sipas legjislacionit në fuqi. Sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror, aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike trajtohen rreth 101 747 familje, nga të cilat: 69 293 familje marrin ndihmë të pjesshme, ndërsa 32 454 familje e përfitojnë të plotë.

Nga këto, 11 623 familje kanë si kryefamiljar gra. Sipas legjislacionit në fuqi, përfituesit e ndihmës ekonomike janë: Familjet në nevojë; jetimët, të cilët nuk janë në institucione; prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh e që u përkasin familjeve në nevojë; viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre; si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes”.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›