Përfundoi sot procesi i lëvizjes së rrjetit elektrik nga traseja e autostradës

Përfundimi i proçesit të lëvizjes së rrjetit elektrik nga traseja e autostradës në segmentin Morinë - Kukës, i hap rrugën 8 firmave private që punojnë për ndërtimin e këtij segmenti të autostradës, për avancimin e punimeve. "Tashmë ky proces sapo ka përfunduar duke u krijuar mundësi firmave të përshpejtojnë punimet në autostradë",- thotë inxhinieri i zyrës rajonale të KESH-it në rrethin e Kukësit, Afrim Hoda. Sipas tij, specialistët e zyrës rajonale të KESH-it në këtë proces kanë qenë vetëm në rolin e supërvizorit, ndërsa të gjitha punimet dhe fondet janë përballuar nga vetë firmat, të cilat nga ky shkak në asnjë moment nuk janë penguar, pasi kanë qenë vetë përgjegjëse. "Specialistët tanë u janë përgjigjur në cdo moment për të kryer kontrollin e cilësisë së lëvizjes së rrjetit elektrik, sa herë që na është kërkuar nga firmat",- thotë drejtori rajonal i KESH-t Ajdin Elezi. Procesi i lëvizjes së rrjetit elektrik në këtë segment ka nisur prej 2 vjetësh, por në asnjë moment nuk ka penguar ritmet e punimeve në trasenë e autostradës për firmat private. Lëvizja e rrjetit elektrik nga traseja e autostradës ka mundësuar që rrjeti i ri elektrik të shtrihet nëntokë, gjë që mundëson minimizimin e defekteve në rrjetin elektrik, vecanërisht në periudhën e dimrit. Përgjatë këtij segmenti është bërë e mundur lëvizja e 13 shtyllave të tensionit të mesëm e të ulët si dhe e 3 shtyllave të tensionit të lartë, proces që është kryer pa shkaktuar asnjë problem në furnizimin me energji elektirke të konsumatorëve.
...