Çështja “Durrës-Kukës” shtyhet për datën 10 prill 2009 nga gjykata

Gjykata e Lartë ka shtyrë sot seancën gjyqësore për çështjen e rrugës "Durrës- Kukës" për më datën 10 prill 2009. Seanca, e cila ishte parashikuar për t'u zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë, është shtyrë për shkak se dita e sotme, përkon me ditë pushimi për të gjitha institucionet shteterore, për shkak të festës së Ditës së Verës që ishte të shtunën. Gjykata e Lartë çmoi se, nuk ishte në praktikën e saj për të dhënë vendime në ditë pushimi zyrtar. Të pranishëm në Gjykatën e Lartë, ishin të gjitha palët në proces, ish- ministri i Punëve Publike, Transoprtit dhe Telekomunikacionit, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe ish-drejtorin juridik në këtë ministri, Andi Toma, të shoqëruar nga përfaqësuesit e tyre ligjor si dhe dy përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme. Basha dhe Toma akuzohen nga prokuroria e Përgjithshme për abuzime lidhur me procedurat për ndërtimin e rrugës "Durrës- Kukës", gjatë kohës që mbanin poste drejtuese në ministrinë e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit. Seancën e ardhëshme, Gjykata e Lartë pritet të shpallë vendimin nëse çështja penale do të vazhdojë apo jo, pas pretendimeve të ngritura nga pala mbrojtëse për një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe kushtetuese të bëra nga prokuroria e Përgjithshme.
...