Shkurtimi i fondeve buxhetore
POLIçAN, shkrihet reparti i zjarrfikësve
Shkurtimi i fondeve buxhetore për vitin 2010, ka vënë në vështirësi serioze financiare edhe bashkinë e qytetit të Poliçanit. Kryetari i kësaj bashkie, Adriatik Zotkaj, tha sot për gazetën se fondi i miratuar nga qeveria është 18 për qind më i vogël se vitin e kaluar dhe se të ardhurat lokale pritet të ulen në masën 20 për qind për shkak të mbylljes së shumë biznese private të qytetit. Sipas kryetarit, mungesa e fondeve do të sjellë jo vetëm rrjedhjen e investimeve për infrastrukturën e qytetit, për mirëmbajtjen e rrugëve, pastrimin, gjelbërimin, por kjo do të sjellë shkrirje të strukturave dhe largime masive nga puna. Kryetari i Bashkisë së Poliçanit konfirmon, se me hyrjen e vitit 2010, ai u ka komunikuar shkrirjen e repartit të PMNZSH-së së qytetit dhe daljen në asistencë të efektivit të tij prej 9 vetash. Ai thotë se këta punonjës me pagë fikse kanë qenë të befasuar nga urdhri i tij, nuk e kanë pritur mirë, por kanë pranuar të përgatisin e dorëzojnë dokumentet për t’u futur në listat e ndihmës ekonomike.
Poliçani është një nga qytetet më problematike për sa u takon situatave të zjarreve që shfaqen duke rrezikuar pronat dhe jetën e banorëve. Kjo për shkak të pyjeve të shumta që e rrethojnë dhe uzinës së armëve, ku kryhet procesi i demontimit.
Kreu i bashkisë tregon se për shkrirjen e repartit të PMNZSH-së do të vendosë përfundimisht këshilli bashkiak. Sipas tij, mbledhja do të zhvillohet këtë javë, ku pritet të miratohet edhe shkrirja e strukturës. Kryebashkiaku tregon se ai i ka njoftuar zyrtarisht strukturat qendrore të shtetit dhe se është në pritje të ndërhyrjes së tyre. Sipas kërkesës pritet kthimi i kësaj nisme, dhe dërgimi i fondeve shtesë posaçërisht për zjarrfikësit.
Më tej ai shton se nuk do të ketë zgjidhje tjetër veç shkrirjes, në se nuk do të ketë fonde të tjera nga buxheti i shtetit. Sakaq, shkurtime do të ketë edhe nga organika e administratës së bashkisë, nga ndërmarrja e pastrim-gjelbërimit.
#