E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në tetor diskutohet teknologjia në fushë

Sep Blater konfirmon se IFAB do të shqyrtojë përdorimin e kamerave në vijën e portës

Bordi Ndërkombëtar i FIFA-s do të shqyrtojë në takimin e radhës, që do të zhvillohet në tetor në Kardif (Uells), mundësinë për të përdorur teknologjinë në fushë. Një lëvizje nëpërmjet së cilës Federata Botërore e Futbollit synon të zgjidhë problemin e golave fantazmë. Konfirmimi ka ardhur nga presidenti Sep Blater, në një konferencë për shtyp të organizuar në Singapor, ku po merr pjesë në Lojërat Olimpike për të Rinj. Bordi Ndërkombëtar është i vetmi organ që ka të drejtën të shqyrtojë ndryshimet apo modifikimet e rregullores së lojës në sportin e top-këmbës. “Në këtë mbledhje do të flasim edhe rreth problemit të teknologjisë në vijën e portës. Ajo është në axhendën tonë”, deklaroi Blater. Futja e teknologjisë është një temë që diskutohet prej shumë kohësh, por vetëm së fundmi, FIFA ka vendosur që t’i hapë “dritën jeshile” diskutimeve dhe ideve të reja.

Gjithçka ka ardhur pas problemeve në Kupën e Botës 2010: dy gafat më të mëdha kanë qenë goli i paakorduar për Frenk Lampard, pavarësisht se topi kishte kaluar dukshëm vijën fatale në sfidën ku Anglia u eliminua përballë Gjermanisë, ndërsa domosdoshmëria e teknologjisë u shfaq edhe në fitoren e Argjentinës me Meksikën, ku “albicelestet” zhbllokuan shifrat me një gol në pozicion të dukshëm jashtë loje. Në të kaluarën, FIFA kishte refuzuar çdo mundësi për të përdorur teknologjinë dhe pamjet filmike në vendimet e diskutueshme të gjyqtarëve, edhe pse diçka e tillë ka rezultuar e suksesshme në sporte si tenisi, kriketi apo regbia. Refuzimet e deritanishme janë bazuar në tezën se “teknologjia do të ndërpriste rrjedhën normale të lojës”. “Mendimi im personal, rreth shfrytëzimit të teknologjisë për të shmangur golat fantazmë, nuk ka ndryshuar, deklaroi numri 1 i FIFA-s. Nëse do të gjejmë një metodë të thjeshtë dhe të sigurt nuk do të kemi probleme që ta përdorim. Megjithatë, deri në momentin që po flasim, nuk ekziston një sistem i thjeshtë dhe i saktë, pavarësisht faktit se disa kompani kanë shfaqur interes për të propozuar ofertat e tyre”. Bëhet fjalë për të paktën katër ndërmarrje, të cilat do t’i paraqesin FIFA-s një ofertë për mbështetje teknologjike, e cila do të shërbente për të përcaktuar nëse topi e kalon vijën e portës apo jo. “Në këtë takim, kompanitë do të prezantojnë argumentet e tyre. Nëse do të na paraqitet një sistem i saktë dhe në të njëjtën kohë i thjeshtë, do ta fusim menjëherë në përdorim”

Blater ka folur edhe për miqësoret e muajit gusht, duke thënë se skuadrat e mëdha nuk duhet të ankohen për faktin se zbritën në fushë vetëm një muaj pas botërorit: “Nuk është e thënë që të luajnë me më të mirët”. Më tej, ai ka komentuar edhe zërat rreth trajnerit të Koresë së Veriut, Kim Jong-hun. Sipas disa gazetave, pasi u kthye në shtëpi nga Botërori 2010, tekniku u mor në pyetje për gjashtë orë, ndërsa më pas u dënua me zhvillimin e punëve të rënda. “Nëse këto fjalë do të konfirmohen, do të marrim masa për përgjegjësit”, tha Blater, duke theksuar se hetimet kanë nisur.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›