Shalke kërkon Klas-Jan Huntelar, Milani, tani ëndërron Ibrahimoviç
Prej kohësh deklarohet se merkato e Milanit është zyrtarisht e mbyllur, megjithatë e vërteta qëndron se klubi kuqezi vazhdon të presë goditjen e madhe. Në “San Siro” po ëndërrojnë të shesin Klas-Jan Huntelar dhe të afrojnë Zlatan Ibrahimoviç. Sulmuesi holandez ka qenë i fundit që është paraqitur në qendrën stërvitore të “Milanelos”, pas finales së Kupës së Botës. Ai u njoh me trajnerin e ri të skuadrës, Masimiliano Alegri, ndërsa nëpërmjet mikrofonave të “Milan Channel” ka kërkuar më shumë hapësira. Huntelar deklaroi: “Kam dëshirë të luaj më tepër me skuadrën time. Nëse do të ketë mundësi dua hapësira, në mënyrë që të shënoj sa më shumë gola”. Një mesazh i fortë dhe i qartë, por sipas gjasave, Alegri dhe Huntelar nuk do të kenë shumë kohë në dispozicion për t’u njohur. Sulmuesi “tulipan” vazhdon të jetë në listën e dëshirave të disa skuadrave nga Premier League dhe Bundesliga. Mes të interesuarave është Shalke. Milani do ta shiste pa problem sulmuesin, te skuadra që ofron më shumë, ndërsa “ankandi” do të nisë nga 15 milionë euro. Paratë që do të përfitohen nga Huntelar do t’i jepnin më shumë frymëmarrje arkave të klubit dhe kuqezinjtë do të investonin sërish në merkato. Ibrahimoviç është ëndrra e Berluskonit dhe Galanit, të cilët nuk janë dorëzuar në synimin për të rikthyer suedezin në Serinë A: oferta e Milanit për Barcelonën është huazimi i Ibrës dhe pagesën e të paktën gjysmës së rrogës. Sulmuesi i Gjermanisë dhe Këlnit, Lukas Podolski, është alternativa e dytë, ndërsa emra të tjerë për sulmin mbeten Xhovani Dos Santos (Totenhem) dhe Eder (Empoli).
Ndërkohë, Milani është edhe në pritje të Kevin Prins Boateng. Ganezi me pasaportë gjermane pritet të transferohet nga Portsmuthi te Xhenoa për 5,7 milionë euro dhe kartonin e mbrojtësit belg, Vanden Bor. Pasi të mbyllë blerjen e mesfushorit, Xhenoa do ta transferojë atë menjëherë te Milani në formë huazimi. Të premten, Boateng ka fiksuar vizitën mjekësore me mjekët e “MilanLab”, ndërsa më pas pritet që ai të jetë në dispozicion të trajnerit Alegri.
#