Në tre muaj, 10 raste të reja me HIV/AIDS
Në tre muajt e parë të këtij viti janë evidentuar 10 raste të reja të infektuar me sëmundjen HIV/AIDS. Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se nga 312 rastet e raportuara në vendin tonë gjatë këtij fillimviti, janë prekur nga kjo sëmundje edhe 10 persona të tjerë. Koordinatori i Programit Kombëtar HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik, Klodian Rrjepaj, e cilëson alarmante prirjen në rritje të këtij infeksioni.
Sëmundja
Të dhënat e raportit të fundit të ISHP-së për HIV-AIDS-in evidentojnë “një tendencë në rritje të këtij infeksioni deri në vitin 2000. Sipas të dhënave vjetore, mesatarja e rasteve me HIV është 6-7 raste. Në periudhën 2000-2004 kjo shifër dyfishohet dhe 2004-2006 shifra mesatare vjetore shkon në 30. Ndërsa në dy vitet e fundit kjo shifër është mbi 40 përkatësisht 44 në 2007-n dhe 46 në 2008-n.
Gjithashtu, kemi një tendencë feminizmi të rasteve që duket qartë në përqindjen e rritur të femrave të infektuara që shkon në 30% të totalit të rasteve”, - tha Rrjepaj, duke shtuar se 70% e rasteve të prekurve me HIV/AIDS janë meshkuj. Nga totali i femrave vetëm 7% e tyre janë infektuar jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër e ka marrë virusin brenda vendit. “Në mënyrën e transmetimit të virusit mund të themi se dominon rruga seksuale (hetero+homobiseksuale) rreth 90% e rasteve”, - tregoi Rrjepaj, sipas të cilit në 10 rastet e reja të raportuara gjatë vitit 2009 rruga e transmetimit është rruga seksuale. Për sa i përket shpërndarjes gjeografike të rasteve, Rrjepaj tha se numri më i madh i tyre i përket Tiranës.
HIV/AIDS-i, numëron 312 të raportuara në vendin tonë, ka prekur edhe 10 persona të tjerë gjatë këtij fillim viti. Koordinatori i Programit Kombëtar HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik, Klodian Rrjepaj, tha se numri i rasteve me AIDS është 104 dhe numri i vdekjeve shkon në 60 raste. Numri i fëmijëve të infektuar është 20, nga të cilët 15 janë prekur nëpërmjet transmetimit vertikal dhe 5 përmes gjakut. Ai tha se gjatë vitit 2008 janë raportuar 2 raste HIV pozitive në fëmijë (përfshihen në shifrën totale prej 20 fëmijësh).
Sipas vlerësimeve të tjera të bëra, thuhet se vendi ynë mund të përballet me një rritje të shpejtë të numrit të rasteve, nëse nuk merren masat e duhura për parandalimin e epidemisë e në mënyrë të veçantë te grupet me risk më të lartë dhe më vulnerabël të popullatës.
MSH
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë e shikon miratimin e ligjit të HIV/AIDS-it dhe rishikimin e strategjisë vetëm si fillimin e një procesi, që po shoqërohet me masa të tjera shumëplanëshe dhe politika të caktuara, të cilat përfshijnë angazhimin e strukturave vendimmarrëse dhe të gjitha nivelet shoqërore qeveritare dhe joqeveritare.
Ndërkohë që konfirmohet se janë ngritur dhe po fuqizohen më tej Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial, si porta e parë e parandalimit dhe kujdesit pothuaj në të gjitha prefekturat e vendit, duke bërë të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për HIV dhe infeksione të tjera, që transmetohen me rrugë seksuale. Në këtë kuadër po fuqizohen më tej klinikat ambulatore për trajtimin, ndjekjen dhe kujdesin ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.
Shifra
30% të totalit të rasteve me HIV/AIDS janë femra
70% e rasteve të prekurve me HIV/AIDS janë meshkuj