Koleksionisti grek që ruan Shqipërinë e dy shekujve
Si mjek, ai ishte i pari i huaj që erdhi në Shqipërinë ende komuniste të vitit 1989, për të ndihmuar në krizën humanitare, që ishte krijuar në prag-shembjen e diktaturës. Njëzet vjet më vonë, Koliomihalis do të vijë me tjetër mision: prezantimin përpara publikut të një koleksioni prej 5,500 kartolinave, prej datës 1890 e deri më sot, të gjitha me në qendër shqiptarët ose qytetet shqiptare.
Imazhi që japin flokët gri, duken shumë larg energjisë që ai buron. Edhe pse në prag të të gjashtëdhjetepestave, Panajotis Koliomihalis e ka ndarë jetën e tij mes dy profesioneve, për më saktë, punës së tij si doktor dhe dashurisë së tij si koleksionist. Në të dyja rastet, Shqipëria ka qenë epiqendra e veprës së tij.
Si mjek, ai ishte i pari i huaj që erdhi në Shqipërinë ende komuniste të vitit 1989, për të ndihmuar në krizën humanitare, që ishte krijuar në prag-shembjen e diktaturës. Njëzet vjet më vonë, Koliomihalis do të vijë me tjetër mision: prezantimin përpara publikut të një koleksioni prej 5,500 kartolinave, prej datës 1890 e deri më sot, të gjitha me në qendër shqiptarët ose qytetet shqiptare.
E takojmë në Muzeun Kombëtar, aty ku ditën e premte do të hapet për publikun ekspozita më e madhe e këtij lloji në vend e duke i marrë pak kohë nga vendosja e stendave, për të cilat kujdesej personalisht, e pyesim për këtë dashuri të tij. “Kam nisur koleksionimin e kartolinave 40 vjet më parë dhe deri tani kam diku rreth 5,500 kartolina”, – na thotë, duke shtuar se shumica e tyre janë të vjetra dhe të gjitha origjinale.
Arsyeja e këtij koleksioni nuk ishte pasioni për kartolinat, më shumë se pasioni për atë çka ato përfaqësojnë. “Arsyeja kryesore ka qenë dashuria ime për Shqipërinë. Kam një lidhje shpirtërore të madhe, pasi babai im vjen nga Lunxhëria”, – shprehet Koliomihalis, duke iu shmangur pyetjes pasardhësve që na vjen natyrshëm. “Ishte shqiptar apo grek?” – pyesim, për të marrë përgjigje se do të ishte më mirë ta linim këtë pjesë. “Nuk dua të hyj në terma politike”, – tregon.
Ndërkohë që flasim, në sallën përbri ekspozitës, brenda Muzeut Kombëtar, dukej se doktor Koliomihalis vazhdimisht e kishte mendjen tek kartolinat e tij. Dyzet vjet më parë, atëherë kur Shqipëria dergjej nën diktaturën komuniste, tezja do t`i dërgonte kartolinën e parë, e së bashku me të edhe “mendjevramjen” e dyzet viteve në vazhdim.
“Koleksioni nisi nga një kartolinë e motrës së babait tim, siç ju thashë 40 vjet më parë, që ia dërgoi tim ati. Më pas kam marrë kartolina nga çdo vend i botës ku kam qenë”, – thotë z. Koliomihalis. Gjeografia e koleksionit është e vështirë të matet. Kudo ku shkonte, merrte çdo gjë që kishte të bënte me Shqipërinë. “Kudo që shkoja dhe shihja jo vetëm kartolina, por edhe libra, gravura, piktura e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me Shqipërinë, i blija. Sot kam në koleksionin tim rreth 350 libra, të gjithë origjinalë”.
Kartolinat që do të jenë të ekspozuara për publikun nga data 2 deri më 11 prill, kanë një gamë të gjerë. Nga kostume popullore deri në qytetet e para 100 viteve, e prej duarve të Marubit, në ato të Lambercit. Disa prej tyre janë thjesht letra të dërguara të afërmve jashtë shtetit, atëherë kur kartolina, apo kart-postali, ishte e vetmja mënyrë komunikimi. Në shqip, greqisht, frëngjisht e anglisht, kartolinat e ekspozuara përmbajnë jo vetëm rëndësinë e formatit të tyre, por edhe emocionet e përcjella dekada më parë. Të gjitha këto, të mbledhura një më një me dashuri dhe përkujdesje, siç na thotë dr. Koliomihalis.
“I dua të gjitha, nuk është se kam ndonjë të preferuar”, – na thotë, por kur këmbëngulim të na tregojë një kartolinë që i ka lënë më shumë mbresa, Panajotis Koliomihalis rrëfen se një prej tyre i ka kushtuar jo pak, por thuajse një mijë euro. “E kam marrë në një ankand, – vazhdon, – aty ishte një koleksionist tjetër, i cili e donte kartolinën për shkak të pullës postare që ishte në të, ndërsa unë për vetë përmbajtjen e saj. Teksa ai e rriste çmimin, unë vazhdoja avazin, derisa ai u tërhoq në 970 euro”.
Teksa flet, na bëjnë përshtypje foljet që zgjedh. Në bllok nënvizoj fjalën “i dua”, një term i servirur me patosin e koleksionistit, që duket se nuk flet më për kartolina, por për qenie të gjalla me të cilat ka lidhur jetën. Sipas tij, tashmë, është tepër vonë të ndalojë. “Nuk bëhet fjalë për dashuri, por për patos, nëse dashurinë mund ta ndërpresësh, patosin nuk mund”. Deri tani ky “patos” është prezantuar në 15 vende të ndryshme, ku janë hapur ekspozita, “por, kjo është e veçantë, pasi është e para që hap në Shqipëri”, - thotë pa fshehur krenarinë.
I gjithë ky mobilizim nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e njerëzve që e rrethojnë. “Familja nuk më ka kundërshtuar kurrë, pasi ata e dinë këtë dashuri. Gruaja ime është bashkë me mua këtu sot dhe si ajo, edhe fëmijët më kanë mbështetur vazhdimisht”, – thotë duke shtuar se me ndihmën e ambasadës shqiptare në Greqi, që është bashkorganizatore e ekspozitës, veprat do të jenë në duart e publikut shqiptar.
Njëzetë vjet pas kontaktit të tij të parë me vendin tonë, Koliomihalis vëren ndryshime të mëdha në Shqipëri. Ai rrëfen se nga “120 herë që ka ardhur”, siç thotë me pak ekzagjerim, ndryshimet kanë qenë të vazhdueshme. “Kontakti im i parë ka qenë si mjek në vitin 1989. Shqipëria ka një ndryshim shumë të madh prej asaj kohe. Shqiptarët kanë bërë gjëra të mëdha”, – rrëfen.
Profesioni i tij si mjek ishte një arsye më shumë për të ardhur në Shqipëri. Jo vetëm si dashurues i vendit tonë, por edhe si humanist, vendosi që duke parë se çfarë po ndodhte pas telave me gjemba, të vinte e të ndihmonte me sa mundësi kishte. “Njihja ambasadorët e Shqipërisë në Greqi dhe kur pashë se kishte probleme humanitare, u kërkova që të vija dhe të ndihmoja e për këtë arsye më dhanë vizën. Ndërhyrja e parë kirurgjikale që kam kryer, ishte për një pacient nga Durrësi dhe më pas kam shkuar në shumë qytete të tjera, kryesisht si mjek”.
Me këtë qëndrim do të infektonte edhe kolegët në spitalin “Hipokratis”, ku është zëvendësdrejtor i Otolaringologjisë, me të cilët dha një ndihmë të vyer ndaj shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Për këtë, Koliomihalis u dekorua nga ish-Presidenti Moisiu, një çast, që na thotë se ishte ndër më emocionuesit e jetës së tij.
Përpara se të ikim, i themi se është koleksionisti më i madh i llojit të vet, për kartolina me motive shqiptare, por z. Koliomihalis na kërkon ta lëmë mënjanë shkallën superiore, duke u mjaftuar me “koleksion i madh”. Duke mos ia plotësuar këtë dëshirë, e lëmë të vazhdojë të vendosë patosin e tij në stendat që do të mbushen me artdashës më 2 prill.