E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli i preferencave kalohet për miratim

01/04/2009  Studimet e larta, edhe këtë vit formulari A-2 do të përmbajë 10 preferenca sipas rendit zbritës

Procedura e plotësimit është e njëjtë me maturën e kaluar, shtohen llojet e shkollave profesionale

Formulari A-2, ose i njohur ndryshe si formulari i preferencave për pranimet në shkollat e larta, është konceptuar dhe modeli përfundimtar i është kaluar Ministrisë së Arsimit e pritet që gjatë ditës së sotme të marrë dhe miratimin nga kreu i këtij institucioni. Ndryshimet e reflektuara gjatë këtij viti në formularin A-2 kanë të bëjnë me shtimin e llojit të shkollave që maturantët do të ndjekin, duke reflektuar aty degët e reja që janë propozuar të hapen gjatë vitit të ardhshëm akademik. Aktualisht pranë AVA-së, ka filluar procesi i mbledhjes së të dhënave të hedhura në formularin A-1 nga të gjitha shkollat e mesme. Kreu i këtij institucioni pohon se tash ka filluar depozitimi i të dhënave në AVA, i cili pritet të mbarojë për dy-tri ditët e ardhshme dhe më pas do të nisë hedhja e të dhënave në database.

Plotësimi

Procedura e plotësimit do të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar dhe maturantët duhet të përzgjedhin sipas një rendi zbritës 10 preferencat ku duan të vijojnë studimet e larta. Megjithatë, procedura e plotësimit të formularit, e cila zyrtarisht do të nisë në të gjitha shkollat e mesme gjatë muajit qershor, do të udhëzohet me kujdes, në mënyrë që maturantët të listojnë ato degë ku kanë më shumë probabilitet për të fituar. Kjo procedurë do të kryhet edhe pas njohjes me të gjithë koeficientet e llojit të shkollave të mesme. Specialistët e Ministrisë së Arsimit pohojnë se duhet bërë kujdes në caktimin e degëve, në mënyrë që të renditen të parat ato degë që janë më afër profilit arsimor që maturanti ka kryer në vitet e shkollës së mesme. Kjo do të thotë se një maturant që ka mbaruar studimet e mesme në profilin shkencor, do ta ketë shumë të lehtë që të fitojë, nëse rendit të parat degët e universiteteve që janë të ngjashme me këtë profil. E njëjta gjë do të jetë dhe për nxënësit e profilit shoqëror. Por kjo nuk do të thotë se kandidatët nuk mund të renditin në formular degët që mund të mos jenë të profilit të tyre. Maturantët që për këtë vit akademik kanë përzgjedhur të ndjekin studimet e larta në akademitë sportive apo artistike, duke përjashtuar këtu arkitekturën, por që nuk kanë aplikuar për dhënien e provimeve me zgjedhje, kanë të drejtë të ndjekin vetëm këto degë. Specialistët pohojnë se kjo kategori maturantësh nuk mund të përzgjidhen në degë të tjera të universiteteve publike, në rast se nuk do të japin provimet me zgjedhje, e për rrjedhojë të gjitha alternativat e tjera të plotësuara në formular (duke përjashtuar profilin e akademisë), nuk do të jenë të vlefshme.

Ushtrimi

Njëkohësisht pohohet se para se formulari A-2 ti jepet nxënësit, do të plotësohet me përgjegjësi dhe pa korrigjime fillimisht nga mësuesi kujdestar, i cili plotëson notën mesatare, ndërsa më pas maturanti rendit 10 preferencat. Ky formular duhet të fotokopjohet nga nxënësit për tu ushtruar në plotësimin e saktë të tij, por në fund do të dorëzohet origjinali i plotësuar, pasi fotokopja është e pavlefshme. Leximi i formularit, ashtu si dhe për formularin A-1, do të bëhet në mënyrë elektronike. Nga 10 degë që mund të zgjedhin, nxënësit do të shpallen fitues vetëm në një degë, në degën e tyre të preferuar, të përcaktuar me plotësimin e saktë të formularit A-2."

Këshillat për maturantët

Procedura e caktimit të preferencave për tu shpallur fitues

Procesi i plotësimit të këtij formulari këshillohet të bëhet pasi maturantët të jenë njohur me rezultatet e arritura në provimet e detyruara, që do të thotë se ata do të jenë në gjendje të bëjnë vetë llogaritjet për të renditur ato degë të cilat mund ti bëjnë fitues. “Para se të renditni preferencat, duhet të bëni një llogaritje të përafërt të pikëve që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara gjuhë-letërsi dhe matematikë. Pas kësaj konsultoni te guida e maturës shtetërore 2008 pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues kandidatët e një viti më parë. Kështu ju do keni një ide se çfarë programesh studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve. Pas kësaj formoni një listë, ku programet e studimit i renditni jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që ju keni për të fituar në këto preferenca. Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që preferoni më shumë dhe, e dyta ajo që preferoni, nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë, e kështu me radhë deri te preferenca 10. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm. Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund ti plotësoni me tre 0”, - pohojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit.

Për të fituar të drejtën e pranimit në shkollat e larta, çdo maturant duhet të plotësojë formularin A-2. Ky formular është i personalizuar dhe unik për secilin nxënës. Para se formulari A-2 ti jepet nxënësit, do të plotësohet me përgjegjësi dhe pa korrigjime fillimisht nga mësuesi kujdestar, i cili plotëson notën mesatare, dhe më pas maturanti rendit 10 preferencat.

Ky formular duhet të fotokopjohet nga nxënësit për tu ushtruar në plotësimin e saktë të tij, por në fund do të dorëzohet origjinali i plotësuar, pasi fotokopja është e pavlefshme. Leximi i formularit, ashtu si dhe për formularin A-1, do të bëhet në mënyrë elektronike.

Nga 10 degë që mund të zgjedhin, nxënësit do të shpallen fitues vetëm në një degë: në degën e tyre të preferuar, të përcaktuar me plotësimin e saktë të formularit A-2."

Maturanti që ka mbaruar studimet e mesme në profilin shkencor, do ta ketë shumë të lehtë që të fitojë, nëse rendit të parat degët e universiteteve që janë të ngjashme me këtë profil. Po e njëjta gjë do të jetë dhe për nxënësit e profilit shoqëror. Por kjo nuk do të thotë se kandidatët nuk mund të renditin në formular degët që mund të mos jenë të profilit të tyre. Para se të bëjnë listimin e preferencave, maturantët duhet të konsultohen edhe me koeficientet e llojit të shkollave.

Rregullorja e provimeve të maturës shtetërore

Neni 21

Ministria e Arsimit miraton deri më datën 1 prill :

Formularin A-2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshirojnë të studiojnë).

Udhëzuesin e formularit A-2

Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A-2 brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë në komisionet shkollore të maturës shtetërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›