Berisha: Rama, ide feudale për taksën e hyrjes në Tiranë
T’u vendosësh taksë mjeteve që vijnë nga rrethet për të hyrë në kryeqytet, kjo për kreun e qeverisë është cilësuar ide feudale. Ndërsa idetë e Ramës i ka quajtur feudale, nga ana tjetër ka paralajmëruar se ekzekutivi nuk do të lejojë që pushteti vendor të rrisë mbi 10% taksën për biznesin e vogël. Kryeministri Berisha u shpreh dje, në mbledhjen e qeverisë, kundër propozimit të Bashkisë së Tiranës për vendosjen e një takse për hyrjen në Tiranë, duke e konsideruar atë një ide feudale dhe të pamenduar. “Ideja e taksës për hyrjen në Tiranë është ide më feudale se feudalizmi. Kjo ide është një lloj regjimi vize, i pashpallur. Nuk e di se ku e ka gjetur kryetari i bashkisë këtë ide, por është e pabesueshme. Në konceptin e vërtetë, aksionerë në kryeqytetin e vendit janë të gjithë qytetarët shqiptarë”, - ka theksuar në fjalën e tij Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se si qytetari shqiptar që jeton mbrapa Dajtit, ashtu edhe ai që jeton në shpatet e Çajupit apo të Shkëlzenit, të gjithë kanë pikëzat e djersës së tyre në këtë kryeqytet. Nga ana tjetër, ai siguroi se idetë feudale të Ramës, nuk do të marrin jetë. “Është jashtë çdo imagjinate që targat e kamionëve, mikrobusëve, autobusëve të tatohen me 1 mijë lekë për çdo hyrje në kryeqytete. Kjo, absolutisht nuk mund të ndodhë. Kjo ka ndodhur në kohën e principatave. Ne kemi hequr edhe 1 euron që kishim vendosur për të hyrë në Shqipëri dhe ta vendosësh taksë për të hyrë në kryeqytet, është tmerrësisht e pamenduar. Prandaj, e donte kryetari i bashkisë edhe mbikalimin-bunker në Zogun e Zi”, - theksoi kreu i qeverisë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kryeministri Berisha garantoi se nuk do të lejohet të ndërtohet asnjë lloj barriere dhe nga ana tjetër, e siguroi Ramën se qeveria do t’i japë fonde nëse i nevojiten më tepër dhe jo t’i sigurojë ato duke u vënë taksa mjeteve që hyjnë në Tiranë. “Nuk dua t’i ndërhyj në kompetenca, por në Tiranë janë aksionerë jo vetëm 3.4 milionë shqiptarë, por është aksioner mbarë kombi shqiptar. Kjo çështje duhet të diskutohet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe në rast se ka nevojë për fonde mbi bazë projektesh, qeveria rrit fondin. Këtë, ne e bëjmë për çdo qeveri vendore”, - tha kreu i ekzekutivit. Kryeministri Berisha theksoi se partneriteti me qeveritë vendore është një nga zhvillimet më pozitive të krijuara në këto 4 vite. “Një nga zhvillimet më të mëdha e pozitive të këtyre 4 viteve, ka qenë ky partneritet që ne vendosëm me qeveritë vendore, meritat e tyre në investime në tërësi. Nuk them se nuk ka pasur defekte, por, nëse janë ndërtuar me mijëra kilometra rrugë rurale, pa pjesëmarrjen e kontributin e qeverisë vendore, sot nuk mund të ecnin aq mirë. Këtë praktikë të re, që kaluam nga çakulli tek asfalti, nga moskomunikimi tek partneriteti me qeveritë vendore, e kemi një trashëgimi shumë pozitive”, - tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri: Kufizim pushtetit vendor, të mos rrisë mbi 10% taksën e biznesit të vogël
Biznesit të vogël nuk do t’i rëndohet barra fiskale, pavarësisht se pushteti vendor po përpiqet të vendosë taksa të reja mbi të. Kryeministri i vendit ka garantuar dje biznesin e vogël se qeveria do të ndërhyjë për të kufizuar pushtetin vendor, që të mos rrisë më shumë se 10 për qind taksat e tyre. “Ne nuk jemi një vend i industrive gjigante, por edhe këto vende, 70 për qind të forcës së punës e ka të punësuar në biznesin e vogël. Prandaj, përkujdesi ndaj këtij biznesi duhet të jetë përkujdesja e parë e qeverisë qendrore dhe asaj vendore, në mënyrë që mbarëvajtja e tij të mos cenohet, pasi ai është gjeneratori i punësimit në Tiranë, Shkodër, Vlorë e kudo”, - theksoi dje kreu i qeverisë. Kryeministri Berisha tha dje se qeveria do të vendosë kufizimin e të drejtës së pushtetit vendor për të rritur vetëm deri në 10 për qind mbi taksën e biznesit të vogël, shumën që ata duhet të paguajnë për të gjitha tarifat dhe taksat e tjera së bashku. Kryeministri theksoi se biznesi i vogël punëson forcën kryesore të punës, ndaj dhe përkujdesi ndaj tij duhet të jetë një përparësi si e qeverisë qendrore, ashtu edhe e asaj vendore. “Unë nuk jam që ata të mos kenë të drejta për tarifat dhe të kenë një hapësirë, por qeveria i ka lejuar vetes totalisht vetëm 10 për qind mbi tatim-fitimin, totalisht vetëm 10 për qind mbi të ardhurat personale, nga 25 për qind që ka qenë më parë dhe nuk po bën asgjë tjetër, por po u kërkon qeverive vendore të përdorin të njëjtën përqindje mbi taksën e biznesit të vogël, që vilet tërësisht për llogari të arkës së qeveritarëve vendorë”, - u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha, duke e konsideruar spekulimin me këtë çështje të rëndësishme të padobishme, theksoi se kjo masë e qeverisë synon që mbi biznesin e vogël të mos vendoset një barrë fiskale më e madhe se 1.5 për qind dhe 10 për qind e saj, një kufi ky i njëjtë edhe për qeverinë qendrore. “Ne, nuk po bëjmë asnjë arbitraritet, por po u vendosim qeverive vendore atë kufi që i kemi vendosur qeverisë qendrore. Është e pandershme të spekulosh me tatim-fitimin. Tatim-fitimi është interesi më i mirë i biznesit të vogël, sepse është mekanizmi që u jep mundësi atyre të rimbursohen në fund, edhe për taksën që paguajnë mbi xhiron”, - tha kreu i qeverisë. Kryeministri theksoi se në qoftë se taksa është 1.5 për qind, futja e komponentit prej 10 për qind e tatim-fitimit bën që në fund të vitit, ata të mund edhe të marrin nga taksa e xhiros që kanë paguar më shumë. Ai tha se nuk duhet të spekulohet e të kthehet në politike kjo çështje, përkundrazi ajo është bërë për ta nxjerrë nga informaliteti, sepse nëse dikush bëhet evazor, falimenton tjetrin fqinj. “Këto praktika nuk mund të ndodhin. Nga ana tjetër, qeveritarët vendorë janë të vetëdijshëm se ne kemi 3 dhe 4-fishuar grantin për ta, gjë të cilën e meritojnë dhe ne do ta rrisim sërish në mandatin e dytë. Ne e kemi politikë konstante rritjen e grantit për qeveritë vendore. Një përpjekje që u bë për të transferuar taksa të tjera tek pushteti vendor, u rrëzua nga vetë socialistët”, - tha Kryeministri.