Në treg, 1000 lekëshi i ri
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi dje rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 1000 lekë, emetim i vitit 2001. Në zbatim të këtij vendimi, në datën 14 nëntor 2008 do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e prerjes 1000 lekë, emetim i vitit 2007. Ky vendim i marrë në vitin 2006 është në përputhje me programet e mëhershme të Bankës së Shqipërisë dhe ka si qëllim modernizimin e kartëmonedhës së prerjes 1000 lekë, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë. Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë. Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara, duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja.