E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Hetim urgjent për 5 gjyqtarët që "liruan" mjekët

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka filluar një hetim urgjent për gjyqtarët që "liruan" nga qelia mjekët e akuzuar për korrupsion. Burime zyrtare nga KLD-ja thanë dje për gazetën "Shqip" se nën "akuzë" ndodhen pesë gjyqtarë, dy nga Shkalla e Parë dhe tre nga Gjykata e Apelit, të cilët brenda pak javëve kanë "liruar" tre mjekë, megjithëse prokuroria dispononte prova të pakundërshtueshme për arrestimin e tyre. Rasti më flagrant për inspektorët e KLD-së është vendimi i Gjykatës së Tiranës për mjekun Agim Karaj. Po kjo gjykatë, me të njëjtat prova, vendosi dy masa të ndryshme, arrest në burg dhe arrest shtëpie, çka cilësohet nga këshilli si precedent i rrezikshëm i drejtësisë shqiptare. Burimet thanë dje pasdite se janë marrë të gjitha materialet dhe po verifikohen. Nëse ka parregullsi në dhënie vendimi nga gjyqtarja Mariana Dedi, atëherë mund të merren masa. Gjithsesi, para këtij veprimi inspektorët e KLD-së do të marrin edhe mendimin e gjyqtares në fjalë në lidhje me interpretimin e masës së arrestit.

Rasti i dytë i "hetimit" nga KLD-ja është për gjyqtarin që liroi nga qelia mjekun Ardian Nelaj. Në seancën për masën e sigurisë, përfaqësuesi i akuzës pohoi gjithashtu se në ngarkim të mjekut, institucioni i prokurorisë kishte nisur procedimin penal, pasi dyshohej për konsumim të veprës penale "korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Sipas prokurorisë, falë metodave speciale të hetimit ishte konkluduar se Nelaj, me profesionin mjek kirurg, me detyrë shefi i klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, dyshohet se përfitonte para nga pacientë të ndryshëm, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale. Ndërhyrjet kirurgjikale Nelaj i zhvillonte në sallën e Urgjencës të Spitalit Nr. 2 në Tiranë, ku dhe u arrestua në flagrancë ndërsa kishte marrë një shumë të hollash. Megjithëse u arrestua në flagrancë, gjatë marrjes së ryshfetit, mjeku u la në një masë lehtësuese, duke "sabotuar" punën e organit të akuzës. Për këtë rast, bazuar dhe në oponencën e prokurorisë, KLD-ja tha se i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të gjitha pretendimet ligjore të gjyqtarit në fjalë.

Krahas dy rasteve të mësipërme, burimet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklarojnë se kanë marrë nën "hetim" tre gjyqtarët që liruan nga burgu mjekun Kastriot Dautaj. Ai u arrestua nga policia dhe Task-Forca në Prokurorinë e Tiranës, më datë 8 korrik 2008, për shkak se mori ryshfet nga të afërmit e një pacienteje që kishte operuar atë ditë. Me kohë policia kishte marrë informacione dhe denoncime për veprimtarinë e kirurgut-urolog, Kastriot Dautaj, i cili dyshohet se ka kërkuar ryshfet edhe nga pacientë të tjerë më parë. Pasi ka marrë këto informacione, policia ka organizuar shërbimet e saj, me qëllim që të realizojë kapjen në flagrancë të mjekut të dyshuar. Më 8 korrik 2008 ai ra në pranga për shkak se në zyrën e tij mori ryshfet 50 mijë lekë të reja nga babai i një vajze, që ishte operuar në veshka. E gjithë skena u filmua nga policia, e cila gjithashtu kishte instaluar edhe përgjues që regjistruan zërin e protagonistëve në ngjarje. Kastriot Dautaj hodhi poshtë akuzën pas arrestimit, duke deklaruar në gjykatë se nuk dinte asgjë për paratë që u gjetën në xhepin e bluzës së tij të bardhë. Por prokuroria tha se dispononte prova për ryshfetin, bazuar edhe në filmime. Gjithsesi, tashmë hetimet i kanë kaluar KLD-së, ku ditët e ardhshme pritet t‘i kërkohet Ministrisë së Drejtësisë propozimi për marrje të masave ndëshkimore ndaj këtyre mjekëve.

Të gjitha masat e sigurisë,

në "sitën" e KLD-së

Një punë voluminoze ka filluar prej 30 ditësh nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në të gjitha gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Dytë. Inspektorët kanë filluar një verifikim të masave të sigurisë në lidhje me ligjshmërinë e vendimeve të gjyqtarëve. Sipas burimeve nga KLD-ja, nga verifikimet paraprake janë vërejtur mjaft parregullsi, ku në ditët në vijim pritet të propozohen masat ndëshkimore ndaj tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›