Presidenti i Kosovës dhe misioni i BE nuk njohin vendimin e Beogradit

Krerët e Kosovës dhe EULEX kanë reaguar fuqishëm pas vendimit të Beogradit për të emëruar gjykatës në Mitrovicë, duke i cilësuar këto vendime si “nul”. Në një qëndrim të mbajtur dje, si EULEX ashtu edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kanë theksuar se nuk do të njihet asnjë trupë gjyqësore e emëruar nga Beogradi. Presidenti Fatmir Sejdiu kërkoi dje shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele. Gjatë takimit me shefin e EULEX-it, Ive de Kermabon dhe zëvendësshefin e zyrës civile ndërkombëtare, Fletcher Burton, Presidenti Sejdiu veçoi veprimet e vazhdueshme të Serbisë nëpërmjet strukturave paralele, për të cilat tha se kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Në një takim që pati me shefin e EULEX-it, Ive de Kermabon, Presidenti Sejdiu u ndal më shumë te veprimet e fundit të Serbisë, për të cilat tha se paraqesin investim të drejtpërdrejtë në strukturat paralele dhe në aktivitetet e tyre ilegale. Sejdiu ka kundërshtuar vendimin e fundit të Serbisë për emërimin e gjyqtarëve për të punuar në gjykatat paralele në Kosovë. Ai theksoi se Republika e Kosovës ka një sistem të vetëm dhe unik gjyqësor, duke e cilësuar të papranueshëm dhe joligjor çfarëdo tentimi për ta cenuar atë.
Presidenti Sejdiu kërkoi mbështetje nga EULEX-i dhe zyra civile ndërkombëtare që të ndërmerren masa urgjente për shuarjen e strukturave paralele dhe parandalimin e veprimeve të tjera destruktive të Beogradit. Po ashtu, ai kërkoi që të vazhdohet përkrahja e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. “Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e plotë të pakos së Ahtisarit, që përfshin edhe shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele. është obligim i të gjitha institucioneve të Kosovës që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për ta realizuar këtë obligim”, theksoi Presidenti Sejdiu.
EULEX
Misioni europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, nuk i njeh strukturat paralele serbe në Kosovë, kurse vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Serbisë për emërimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë në komunat me shumicë serbe, përfshi edhe komunat e sapokrijuara me procesin e decentralizimit, e vlerëson vendim politik, me të cilin duhet ballafaquar urgjentisht, theksuan dje zyrtarët e këtij misioni. “Ne e kemi vërejtur vendimin e Beogradit për emërimin e gjyqtarëve në gjykatat serbe në Kosovë. Ky është një vendim politik, me të cilin duhet ballafaquar me urgjencë”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it për drejtësi, Kristina Herodes, për të shtuar se muajt e fundit EULEX-i ka filluar që të riinstalojë një drejtësi funksionale në veri të Mitrovicës, duke rihapur gjykatën dhe ku ka mbajtur pesë procese gjyqësore. “Qëllimi ynë prioritar është që t’i kthejmë gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe ata shqiptarë të Kosovës në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që drejtësia të vendoset nga një gjyqësor lokal, multietnik dhe i vetëm”, ka shtuar ajo. “Në asnjë vend tjetër të Europës nuk kemi dy sisteme juridike, duke operuar në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, andaj do të ketë vetëm një sistem juridik në Kosovë”, ka saktësuar zëdhënësja Herodes.