E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia vis a vis realiteti intern

Gjatë kohërave antike ose gjatë kohërave të qytet-shteteve, kur konfliktet fisnore nuk mund të zgjidheshin, dolën në skenë disa njerëz që ofronin një metodë paqësore të zgjidhjes së problemeve fisnore dhe që ajo metodë do të mbetet si parakusht për zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë. Kjo metodë i ofronte njerëzimit paqe në vend të luftës, dashuri në vend të urrejtjes dhe jetë në vend të vdekjes. Menjëherë kjo metodë u respektua dhe u çmua shumë nga grekët e lashtë, saqë u bë pjesë e rëndësishme e traditës greke të paraluftës, kurse njerëzit që zbatonin këtë metodë ishin njerëz me shkathtësi të paimagjinuara. Ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre gëzonin integritet fizik të pacenueshëm dhe të paprekshëm. Ata, madje kishin sigurinë më të lartë se vetë prijësit, mbretërit, udhëheqësit dhe liderët. Këta njerëz, me kalimin e kohës, përfitonin respektin më të lartë nga të gjithë. Më vonë, ishte Perandoria Romake ajo që njihet si e para për shpalljen e këtyre njerëzve si "të ruajturit" dhe "të sigurtit" nga dora e çdo njeriu. Kjo metodë e zbatuar nga ata njerëz quhej diplomaci, kurse personat që kryenin këtë detyrë ose mision quheshin diplomatë. Pra, ishte diplomacia ajo që gëzonte respektin më të lartë. Ky respekt, i trashëguar me shekuj, nuk erdhi pa çmimin e duhur. Puna e diplomatëve njihej si punë e lodhshme dhe e mundimshme, me rreziqe dhe me sakrifica. Varësisht nga rezultatet e diplomacisë shtetet ballafaqoheshin me të ardhmen e tyre. Nëse diplomacia dështonte, shtetet futeshin në luftëra të gjata dhe të përgjakshme. Nëse diplomacia korrte sukses, shtetet kishin ardhmëri të qetë dhe shpesh-herë rezultonin me aleanca të ndryshme. Pra, varësisht nga rezultati i diplomacisë, pozita e shtetit forcohej ose dobësohej në paraqitjen e tij në arenën ndërkombëtare. Në kohën e mesjetës, atëherë kur Evropa ishte e përçarë dhe e rraskapitur nga luftërat, u shfaq nevoja për diplomatë të shkathtë dhe guximtarë, ku do të shpëtonin së pari shtetin e tyre dhe njëkohësisht duke prodhuar mekanizma për një paqe të njomë në kontinentin e vjetër dhe të rraskapitur nga lufta 30 vjeçare e Ferdinandit të II-të. Këtu mund të përmendim si shembull Kardinalin e njohur francez Rishelje (Louis François Armand du Plessis 1696-1788), i cili përmes diplomacisë arriti të bëjë Francën forcë supreme në Evropën qendrore, të mbajë të përçarë Dinastinë e Habsburgëve, gjuhën franceze ta bëjë gjuhë ndërkombëtare diplomatike, Francën të jetë dominante në Evropën qendrore etj. Diplomatët e atëhershëm njihen gjithashtu edhe si persona të cilët nuk kursejnë asgjë për t'i arritur qëllimet e tyre. Madje, ata shpesh-herë janë quajtur edhe si gënjeshtarë të mëdhenj dhe tradhtarë të asaj që premtojnë. Aleanca e Risheljes me protestantët e Kantonit zviceran të Grisons-it kundër Spanjës për hir të mbrojtjes së interesit shtetëror, nuk u prit mirë bile u keqkuptua thellë nga shumë katolikë vendas. Dmth interesi shtetëror ose nacional ishte prioritar dhe nuk zëvendësohej me asgjë. Diplomacia e tanishme moderne dallon me karakteristikat e saj domethënëse ku hulumtohen aktorët dhe vendimet e tyre, analizohen qëllimet, ndriçohen burimet dhe forcat lëvizëse, hulumtohen metodat dhe instrumentet që i përdor diplomacia në realizimin e qëllimeve të veta. Pra, zhvillimi teknik i botës, kontaktet e përforcuara ndërkombëtare dhe tendenca e përgjithshme e përafrimit të pjesëve përkatëse të botës rrit interesin e çështjeve përkatëse të diplomacisë ku ajo pozicionohet si aktivitet tejet i rëndësishëm. Bota është bërë aq e ndërlidhur sa disa aktivitete të diplomacisë në një pjesë të botës pothuajse automatikisht shkaktojnë reaksione zinxhiri në tërë sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare politike, ku një varg politikash të tjera të diplomacisë duhet të reagojnë shpejt dhe në mënyrë adekuate ndaj atyre çrregullimeve. Rasti i Maqedonisë me diplomacinë e saj jo efektive gjithashtu po shkakton reaksion jo vetëm të shumë shteteve të Bashkimit Evropian, por edhe të botës në tërësi. Kuadri jo-profesional, metodat dhe prioritetet e diplomacisë maqedonase paraqiten si obstruksion kryesor i avancimit të shtetit, qoftë në organizatat ndërkombëtare qoftë në progresin ekonomik. Prezantimi i saj i fundit në Samitin e Bukureshtit ishte një veprim jo i matur dhe deri diku qesharak. Mos paraqitja e gjithë personelit diplomatik si një trup i tërë shkaktoi reagime të shumta dhe pozicionim më të ulët të Maqedonisë në arenën ndërkombëtare. Kryeministri Gruevski nuk pranonte të bashkohej me presidentin Cërvenkovski, ky i fundit nuk pranonte të takohej me ministrin e Punëve të Jashtme, Milloshoski etj. Ky gjest tepër amatoresk i kushtoi Maqedonisë shumë, ndërkohë që ishte një nga rastet e pakthyeshme historike për vendin. Problemet e diplomacisë së Maqedonisë padyshim janë edhe si pasojë e problemeve të brendshme që ka ky vend, në radhë të parë me shoqërinë e saj të karakterit multi-etnik, ngase raportet e diplomacisë janë gjithashtu të lidhura ngushtë me politikën e brendshme të shtetit si dhe gjendjen faktike ekonomike me nivel të lartë të papunësisë. Maqedonia akoma përballet me probleme të brendshme serioze dhe qeveria aktuale po shpreh mos seriozitet në zgjidhjen e çështjeve kruciale me shqiptarët. Kjo qeveri aktuale jo vetëm që nuk gjen metoda dhe mekanizma të duhura për zgjidhjen e problemeve, por ajo me provokimet diletante jo vetëm që prolongon zgjidhjen, por irriton popullatën shqiptare tashmë të skajuar nga varfëria ekonomike. Të gjitha hapat që ka ndërmarrë kjo qeveri bien ndesh me rregullimin e shtetit me karakter multi-etnik dhe multi-konfesional, madje ajo bie ndesh edhe me vetë kushtetutën vendore. Kjo qeveri aktuale ka koncentruar tërë kapitalin e saj intelektual dhe monetar në hyjnizimin e etnitetit maqedonas, duke nënçmuar dhe fyer etnitetin shqiptar i cili akoma paraqitet si faktor i matur dhe stabilizues. Se kjo qeveri nuk është e interesuar të zgjidh kontekstin e emrit me fqinjin e saj, Greqinë, tregon orientimi i saj kah projektet vendore e që janë antishqiptare, si me procesuimin e rasteve të Hagës, mos hapja e paraleleve në gjuhë shqipe, seleksionimi etnik i bursave, miratimi i ligjit për mbrojtje të fëmijëve, ndërtimi i Shtëpisë së Nënës Terezë (ku nuk vendoset asnjë element shqiptar), projektimi i kishës ortodokse në qendër të qytetit të Shkupit, projekti për vendosje të Aleksandrit Maqedonas në sheshin e Shkupit etj. Këto hapa nga qeveria aktuale, madje kanë zvogëluar rëndësinë e partnerit shqiptar në këtë qeveri. Ky partner shqiptar i qeverisë aktuale nuk posedon rol të vendimmarrjes dhe paraqitet vetëm si ilustrim fizik dhe jo domethënës. Mungesa e një opozite konstruktive shqiptare ndihmon partinë shqiptare në pushtet të vazhdojë mospërfilljen e obligimeve elementare. Madje opozita shqiptare, me problemet e saj të brendshme, zbeh çfarëdo tentative që paraqet ajo për ta vetëdijësuar qeverinë për gjendjen faktike në vend. Zgjidhja e problemeve të brendshme është kushti kryesor për politikë të jashtme me rezultate konkrete. Diplomacisë së Maqedonisë, respektivisht Milloshoskit, unë do t'i kisha sugjeruar që të largohet nga paraqitja e nacionalizmit maqedonas dhe tentimet e indoktrinimit ideologjik dhe t'i qaset aplikimit të arsyes dhe të taktit në udhëheqjen e raporteve zyrtare. Edhe pse i ekspozuar me shumë kontakte, ai duhet të jetë i vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendet dhe kompromiset që mund t'i bëjë. Duke dalluar shkallën e vlerave dhe të qëllimeve që duhet t'i realizojë, ai duhet të jetë i gatshëm t'i nënrendojë qëllimet e rangut më të ulët që të realizojë qëllimin më të largët. Nëse nuk i merr në konsiderim problemet e vendit në të cilin vepron, nëse vlerëson në mënyrë joreale zhvillimin e tij si dhe kushtet shoqërore-politike dhe ekonomike, diplomati, në këtë rast Milloshoski, nuk mund t'i informojë në mënyrë të drejtë autoritetet e veta, as të ndihmojë në formulimin real të qëllimeve të politikës së jashtme, kurse akoma më pak në zhvillimin e marrëdhënieve të mira. Në fund unë do t'i kisha përkujtuar ministrit të punëve të jashtme 7 pikat e Nolanit, ku ai thekson: nuk duhet të jesh egoist, duhet të posedosh integritet, duhet të jesh objektiv, duhet të jesh i përgjegjshëm, duhet të jesh i hapur dhe transparent, duhet të jesh i ndershëm dhe duhet të posedosh lidership me shembuj real dhe praktik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›