E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në veri sulmohen policët e EULEX-it dhe të Kosovës

Zubin Potok, Leposaviq, 5 gusht - Në Zubin Potok dhe në Leposaviq, sot, në orët e hershëm të mëngjesit, kanë ndodhur dy sulme në pjesëtarët e policisë së EULEX-it dhe të Kosovës. Për fat të mirë nuk ka të lënduar. Mirëpo, ka dëme materiale, ka njoftuar  policia.
Sulmin në pjesëtarë të policisë së EULEX-it dhe në atë të Kosovës e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë. “Në orët e hershem të mëngjesit të enjten ka ndodhur një sulm në një patrullë të policisë së EULEX-it, e cila po kthehej nga pika kufitare në Bërnjak, Zubin Potok, ndërsa sulmi i dytë ka ndodhur në magjistralen e ‘Ibrit’, në fshatin Ibarska Sllatina të Komunës së Leposaviqit, ku është sulmuar autobusi që bartë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, ka thënë Nystret Mehmeti, shefi i njësisë operative rajonale të policisë në Mitrovicë.
Sipas tij në të dy rastet makinat e policisë janë sulmuar me gurë. Për fat të mirë nuk ka të lënduar, ndërsa që dëmet materiale janë të konsiderueshme. Mehmeti thotë se policia aktualisht nuk ka ndonjë të dyshuar, por po heton  rastet. Burime nga veri pohojnë se sulmin ndaj pjesëtarëve të policisë së EULEX-it dhe të Kosovës e kanë bërë ekstremistë serbë që kanë lidhje  me OBRAZ dhe MUP-in serb, dhe që synojnë  destabilizimin e situatës në këtë pjesë të Kosovës.
Bëhet e ditur se gjatë sulmit në policinë ndërkombëtar dhe atë të Kosovës, në vendet e sulmit janë dëgjuar edhe të shtëna me armë të zjarrit.
Zyrtarë të policisë në Mitrovicë thonë se policia nuk ka informacion për sulmuesit e mundshëm dhe se nuk ka informacion për të shtëna me armë të zjarrit, por se rasti po hetohet nga njësiti për krime serioze.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›