E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet konkursi për personelin e Universitetit të Prizrenit

Prizren, 5 gusht - Universiteti i Prizrenit ka shpallur të enjten konkursin për zgjedhjen e personelit akademik dhe atij administrativ/teknik të këtij universiteti, i cili këtë vit pranon studentët e parë dhe po të enjten ka filluar aplikimi i të interesuarve për t’u bërë pjesë e këtij universiteti në mësimdhënie, apo në administrim.

Të gjithë të interesuarit, sipas konkursit të shpallur, mund të aplikojnë në 5 programet, të cilat ofrohen këtë vit në Universitetin e Prizrenit: Administrim biznesi dhe menaxhment ndërkombëtar; teknologji informative dhe telekomunikuese dhe dizajnim i softuerit; juridik; gjuhë gjermane, si dhe në lëndët ndërdisiplinare.

Konkursi është shpallur edhe për katër pozita për personelin administrativ/teknik: sekretar i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit dhe për tre zyrtarë administrativ në këtë universitet.

Të gjithë të interesuarit do të mund të paraqiten në konkurs deri më datën 20 gusht 2010, në ambientet e Universitetit të Prizrenit, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas kësaj komunikate, deri më tani kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e Universitetit të Prizrenit, mbi 600 intelektualë që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj, prandaj edhe në konkursin e shpallur është tërhequr vërejtja se këta kandidatë duhet të paraqiten në konkurs për të precizuar lëndët për të cilën aplikojnë.

Universiteti i Prizrenit është themeluar nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të përfshirjes sa më të madhe të rinisë në shkollimin e lartë dhe të rritjes së cilësisë në këtë nivel shkollimi në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›