Në vijim të vizitave të tij në Qarkun e Vlorës, Kryeministri Fatos Nano, bëri një vizitë në Kompleksin Turistik të Orikumit. Kryeministri dhe autoritetet që e shoqëronin, mori pjesë n
Në vijim të vizitave të tij në Qarkun e Vlorës, Kryeministri Fatos Nano, bëri një vizitë në Kompleksin Turistik të Orikumit.
Kryeministri dhe autoritetet që e shoqëronin, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fazës së parë të punimeve të portit të jahteve. Porti turistik, është një investim privat që kap shumën prej 15 milion Eurosh. Për fazën e parë janë investuar 6 milion Euro.
Kryeministri gjatë vizitës në portin turistik, u njoh me zhvillimin e punimeve te fazës së parë dhe të atyre në perspektivë, të portit dhe të kompleksit turistik. Ai përgëzoi sipërmarrësit për punën e kryer deri tani dhe u shpreh se ky kompleks turistik do të jetë një nyje e rëndësishme turistike, duke theksuar se zhvillimi i turizmit është një nga prioritetet kryesore te Qeverisë dhe se Vlora do të përfshihet në një ‘' bum" turistik''.
Kryeministri theksoi se Vlora, po transformohet në një zonë prioritare të sipërmarrjes, të ndërtimit të infrastrukturave moderne, të zhvillimit të turizmit dhe të integrimit me botën moderne. "Transformimi i vazhdueshëm i Vlorës tashmë është i prekshëm për qytetarët dhe sipërmarrësit e saj. Pjesë e këtij realiteti të ri është dhe ky kompleks jahtesh, ku investimet e huaja direkte po shtrihen edhe në fushën e turizmit'', - u shpreh zoti Nano.
Qeveria ka vendosur te financoje gjithashtu edhe ristrukturimin e Portit Detar te Vlorës si dhe atij te Peshkimit. Po kështu edhe aeroporti i ri, financim i qeverisë italiane, do të jetë aeroport civil.
Janë të gjitha këto investime në infrastrukturë që do të ndihmojnë bumin e turizmit për qarkun e Vlorës, cka do të thotë më shumë fitime, jetë më e mirë, qytetërim i mëtejshëm.
Më pas Kryeministri zhvilloi një takim me anëtarët e Dhomës së Tregtisë së Vlorës ku mbajti edhe një fjalë.