Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot paradite mbledhja e Këshillit Kombëtar të Rrugëve. Në këtë mbledhje u morën në shqyrtim Rregullorja e Këshillit Kombëtar të rrug
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot paradite mbledhja e Këshillit Kombëtar të Rrugëve.
Në këtë mbledhje u morën në shqyrtim Rregullorja e Këshillit Kombëtar të rrugëve, si dhe prezantimet konceptuale për rrugën Ura e Palasës – Qeparo; rruga Qeparo- Metoq (Sarandë); si dhe Ura e Bunës.
Pasi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij, Këshilli Kombëtar i Rrugëve në mbledhjen e sotme miratoi projektin e ndërtimit të aksit rrugor Ura e Palasës –Qeparo i cili pasohet nga projekti i rrugës Qeparo- Metoq (Sarandë) duke krijuar në këtë mënyrë dhe të ashtuquajturën "Rrugë e Rivierës". Këto dy projekte të infrastrukturës rrugore në pjesën jugore të vendit tonë synojnë përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit të kësaj zone potencialet turistike te së cilës janë të jashtëzakonshme. Ndërkohë që me miratimin e projekteve për ndërtimin e akseve rrugorë Ura e Palasës –Qeparo dhe Qeparo- Metoq (Sarandë) të cilat janë pjesë përbërëse të aksit strategjik Vlorë-Sarandë- Konispol –Qafë Botë (kufiri me Greqinë) krijohet mundësia për lidhjen e Portit të Vlorës me Portin e Sarandës dhe më tej me Greqinë.
Në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të programit qeverisës në fushën e turizimit, Këshilli Kombëtar i rrugëve ka miratuar sot edhe projektin për ndërtimin e Urës së re të Bunës. Kjo urë do të lidhë qytetin e Shkodrës por edhe pjesën tjetër të Shqipërisë me Republikën e Malit të Zi nëpërmjet kalimit kufitar të Murriqanit dhe Ulqinit, zonë kjo me potencial turistik dhe me efekt të sigurtë në hapjen dhe integrimin e Shqipërisë në Evropën Qendrore nga veriu.
Ura e re e lumit Buna është parashikuar të jetë 392 m e gjatë dhe me një lartësi prej 5 m nga lumi Drin. Kosto e ndërtimit të saj kap vlerën prej 5.293.963 USD. Gjithashtu ndërtimi i këtij objekti do të shoqërohet edhe nga pajisje të nën dhe mbi strukturës.