Sot paradite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, është zhvilluar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Rrugëve. Në çelje të mbledhjes Kryeministri mbajti një fjalë të cilën e keni të
Sot paradite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, është zhvilluar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Rrugëve. Në çelje të mbledhjes Kryeministri mbajti një fjalë të cilën e keni të plote në vijim.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Rrugëve,
Në mbledhjen e sotme do të hedhim një hap të rendësishëm që ka të bejë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend dhe gjithashtu në partneritetin e administratës publike me sipërmarrjen private, për ndërtimin e rrugëve të reja.
Gjithashtu diskutimi i sotëm do të fokusohet edhe në miratimin e Rregullores së Këshillit Kombëtar të Rrugëve, duke konsoliduar dhe vetë funksionimin e këtij organizmi shtetëror përballë detyrave dhe sfidave të projektimit dhe të vendimmarrjes të rëndësishme që kemi përpara.
Vendimet e sotme lidhen, jo vetëm me statusin aktual të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, por kryesisht me perspektivën, që po hapet për ardhmërinë e sistemit nacional të rrugëve, sistem i cili gjithnjë e më tepër po implementohet në funksion edhe të një rrjeti të rëndësishem rajonal dhe nderkombëtar, i cili mundëson akses shumë herë më të madh ndaj shërbimeve dhe tregjeve të gjera në të cilat po integrohemi.
Qeveria po vazhdon të studiojë për të krijuar, gjithashtu, më shumë hapësira e incentiva për investime afatgjata dhe të përshpejtojë identifikimin e resurseve, për zbatimin e këtij programi kombëtar, të modernizimit të infrastrukturës dhe këtë, duke qënë gjithnjë në qendër të filozofisë, që nuk na lejohet të shpikim, do të vazhdojmë ta bëjmë duke sjellë kushtet ligjore të prokurimeve publike dhe parametrat strukturore dhe institucionale të tregut në standarte të kohës, krahas përdorimit të instrumenteve dhe të formave kontemporane, tregtare dhe të kapitaleve deri te komisionet që krijojnë partneritet midis administratës publike dhe kompanive private në fushën e administrimit të pronës, apo të pasurisë së individit .
Tashmë është programuar financimi i ndërtimit dhe mirëmbajtes së infrastrukturës rrugore vetëm mbi bazë projektesh konkrete, ku me prioritet po trajtohen rrugët që na lidhin më shpejt me rajonin si dhe rrugët që ndihmojnë në zhvillimin e turizmit të integruar.
Ne mendojmë se vetëm kështu do të rriten kapacitetet thithëse vendase edhe për kontributet e donatorëve, do të përmirësohet efikasiteti i menaxhimit të fondeve buxhetore dhe do të angazhohet më shumë sipërmarrja private.
Në mbledhjen e sotme, ndër të tjera, do të diskutohet edhe mbi prezantimet konkrete të disa rrugëve e nyjeve tepër të rëndësishme në funksion të asaj që për qeverinë aktuale është prioritet: krijimi i një network-u efikas në shërbim të turizmit dhe integrimit rajonal, duke përmbushur kështu një detyrim të rëndësishëm të strategjisë të zhvillimit te Turizmit, që u miratua dje në Qeveri.
Strategjia e zhvillimit të rrjetit rrugor kombëtar përfshin, jo vetëm përfundimin e rikonstruksionit të akseve kryesore Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug, por edhe atë Durrës-Kukës-Morinë (lidhja me Kosovën) për ta bërë Shqipërinë pjesë integrale të infrastrukturave të mëdha të korridoreve Pan-Europiane duke krijuar mundësinë reale që vendi ynë të përfitojë nga tregjet fqinje si stimuli kryesor për efektet multiplikatorë që ka transporti në rritjen ekonomike.
Në mbledhjen e ardhshme do të na vijnë për shqyrtim gjithashtu studimet dhe projektimet për segmentet Pogradec-Korçë, Fier-Tepelenë dhe Shkodër-Hani Hotit, ndonëse për to po punohet që të sigurohet mbulimi i plotë me financime.
Edhe një herë dëshiroj të ritheksoj rëndësinë që ka për programin tonë zhvillimi i rrjetit rrugor që përshkon zonat turistike e monumentale të vendit tonë, pra me të tilla potenciale kemi të drejtë të konkurojmë në tregun turistik mesdhetar dhe kjo do të vazhdojë të nbështetet me investime direkte nga buxheti i shtetit me financimet e rëndësishme të Velipojës, Divjakës dhe Orikum-Dhërmiut.
Në këtë kuadër, në mbledhjen e sotme do të shqyrtojmë vazhdimin e studimit dhe projektimit të aksit Ura e Palasës-Qeparo-Sarandë, e ashtuquajtura "Rrugë e Rivierës" dhe që do përshpejtojë ritmet e zhvillimit të kësaj zone me potencial vërtet të jashtëzakonshëm turistik. Për më tepër që ky aks është dhe pjesë përbërëse e aksit strategjik Vlorë - Sarandë - Konispol - Qafë Botë (kufiri me Greqinë) i cili praktikisht mundëson lidhjen e portit të Vlorës me Portin e Sarandës dhe më tej me Greqinë.
Diametralisht, në Veri, me shqyrtimin e materialit që kemi përpara sot, po përgatitemi të fillojmë ndërtimin e Urës së Re të Bunës, pranë Shkodrës, e cila lidh këtë qytet, por edhe pjesën tjetër të Shqipërisë me Republikën e Malit të Zi, nëpërmjet kalimit kufitar të Murriqanit dhe Ulqinit, zonë kjo me potencial turistik dhe me efekt të sigurtë në hapjen dhe integrimin e Shqipërisë në Evropën Qëndrore nga veriu .
Mbetet ende shumë per t'u bërë në Unifikimin e Sistemit Ekzistues Autostradal, i cili i fragmentarizuar sikurse paraqitet, nuk i realizon plotësisht funksionet e tij, ashtu sikurse vërej se ende nuk punohet siç duhet në rritjen e elementeve të sigurisë në rrugët tona, ndonëse përgatitja teorike dhe profesionale, edhe në këtë sektor, aspak për t'u neglizhuar, nuk mungon.
Më së fundi më lejoni të ndaj me ju besimin dhe sigurinë se vendi ynë i ka forcat dhe ne do të përmirësojmë kontributet e administratës publike dhe të Qeverisë në këtë sektor për të sjellë sa më shpejt, jo vetëm në realitet normativat europiane të lëvizjes, por dhe për të krijuar edukatën dhe autoritetin ligjor të respektimit të tyre. Pa to procesi i integrimit mbetet pasiv.