Në vitin 2010, do të përfundojë tërësisht infrastruktura e ultësirës bregdetare

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një vizitë në qarkun e Shkodrës, ku fillimisht u ndal në Lezhë, ku dhe mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës Lezhë-Shëngjin. Rruga, me gjatësi 2.8 kilometra, është investim me vlerë 270 milion lekë dhe ka tërë elementet e një rruge të standardeve evropiane, me gjerësi 16 metra, që përfshin një korsi të veçantë për biçikletat. Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë kësaj vizite se “në vitin 2010, do të përfundojë tërësisht infrastruktura e ultësirës bregdetare”. Duke e konsideruar krijimin e infrastrukturës moderne tepër të rëndësishme për zhvillimin e zonave turistike, Kryeministri Berisha tha se “në 4 vite, në zonën turistike të ultësirës bregdetare, nga Velipoja në Ksamil dhe në fshatrat e kësaj zone, janë investuar në infrastrukturë rreth 700 milion euro”. Duke bërë një përmbledhje të shkurtër të gjithë investimeve të qeverisë në këtë zonë, Kryeministri Berisha tha se “Në katër vjet janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 50 rrugë, me gjatësi nga 1 kilometër deri në 60 kilometra dhe janë në ndërtim e sipër 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza. Në Shëngjin, ka një investim prej 3 milion euro në infrastrukturën energjetike”, tha Kryeministri Berisha. Duke folur për fondet që qeveria ka akorduar për një sërë investimesh që janë në këtë qytet, Kryeministri Berisha tha se “në rikonstruksionin e linjave në këtë zonë janë investuar realisht qindra milionë, si në rikonstruksionin e rrjetit ekzistues, ndërtimin e nënstacioneve, por edhe në burime të reja energjetike të parqeve energjetike”. Kryeministri Berisha specifikoi se më shumë është investuar në ujësjellës. Kreu i qeverisë foli dhe për projektet e qeverisë së tij gjatë mandatit të ardhshëm 4 vjeçar, ku garantoi se “pas vitit 2010 ne do t’i kthemi turizmit malor, që do të ketë një hapësirë gjithnjë e në rritje”.
...