E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç inaugurojnë pikën e përbashkët kufitare, Murriqan-Sukobinë

Realizimi i këtij projekti, simbol i bashkëpunimit midis dy vendeve

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç inauguruan dje në mesditë pikën e përbashkët të kalimit kufitar Murriqan-Sukobinë, e ndërtuar me një fond prej 1.1 milion euro të Komisionit Evropian. Kjo është pika e parë kufitare e kësaj natyre në Ballkanin Perëndimor, pjesë e rrjetit prej 12 pikash kufitare që do të ndërtohen në Shqipëri dhe vendet e saj fqinje, falë financimit të KE-së prej 5.4 milion euro. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha, shprehu mirënjohje për BE-në në realizimin e këtij projekti, si dhe vlerësoi se ky investim ka një vlerë shumë më të madhe simbolike se sa vlera e tij financiare. “Ky është një projekt evropian jo vetëm në arkitekturën e tij, por dhe në filozofinë e tij, mbi të cilën është ndërtuar Evropa, që është, pa diskutim më njerëzorja e të gjitha kohërave, filozofi e bazuar mbi paqen, të cilën qytetarët e këtij kontinenti e meritojnë”, u shpreh Kryeministri. Realizimin e këtij projekti, Kryeministri Berisha e ka parë edhe në një tjetër kontekst, si simbol të bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Malit të Zi, në funksionimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të çdo shteti, doganave. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij iu referua dhe projekteve të reja në Veriun e vendit, siç ishte inaugurimi dje të fillimit të punimeve të autostradës Shkodër-Podgoricë, një kontribut shumë i rëndësishëm i një vendi mik fqinj, Italisë, çka sipas Kryeministrit dëshmon më së miri projektet e njëpasnjëshme që po realizohen në veri të vendit. “Kjo rrugë u ndërtua 80 vjet më parë nga austro-hungarezët. Tani sërish po e rindërtojmë me ndihmën bujare të Kooperacionit italian dhe fonde të qeverisë shqiptare. Pak më tutje vendit, ku inauguruam rrugën, një tjetër projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm midis dy vendeve tona po shtrihet me shpejtësi, linja e interkonjeksionit të tensionit të lartë 410 kilovolt, që lidh Tiranën me Podgoricën”, tha Berisha. Nuk është ndalur me kaq Kryeministri Berisha, duke premtuar se së shpejti, do të nisë ndërtimi i një autostrade të re që lidh Velipojën me Ulqinin. “Kurrë në histori nuk kemi punuar kaq mirë dhe kaq shumë bashkërisht, për lidhjet midis dy vendeve tona. Ne jemi vende të vogla dhe me shpejtësi, duhet të rrafshojmë kufijtë, për të zgjeruar hapësirat tona për turistët dhe tregun, në interesin më të mirë të qytetarëve tanë”, tha Kryeministri Berisha. Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të pikës kufitare Murriqan -Sukobinë ishin edhe ambasadori i KE-së në Tiranë Helmuth Lohan dhe homologu i tij në Malin e zi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra të qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze dhe autoritete vendore të Shkodrës dhe Ulqinit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›