E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Bruksel përgjigjete pyetjeve shtesëKE zbret në terren

TIRANË- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu informoi sot, gjatë një konference për shtyp, se "autoritetet shqiptare kanë dorëzuar brenda afateve të kërkuara nga Komisioni Europian, përgjigjet e 170 pyetjeve shtesë të Pyetësorit për integrimin e vendit në Bashkimin Europian". Sipas Bregut, “Bashkimin Europian nuk ecën vetëm në bazë të humorit të opozitës, apo të liderit të Partisë Socialiste".
Duke theksuar faktin se "kthimi i përgjigjeve është bërë ditë pas dite në formatin elektronik”.

Misionet vëzhguese
Ndërsa bëri të ditur se ky proces u shoqërua edhe nga 9 misione vëzhguese në terren, të dërguara nga Komisioni Europian, ministrja Bregu siguroi se "nuk ka patur mospërputhje mes raportimit të autoriteteve shqiptare në përgjigjet e pyetjeve dhe realitetit që kanë gjetur në terren misionet vëzhguese".
Ministrja e Integrimit informoi se "4 prej këtyre misioneve kanë përfunduar punën e tyre, duke u fokusuar në monitorimin e kritereve ekonomike".
"Misionet kanë kryer vizita në pikat doganore dhe në bizneset shqiptare për të parë përputhjen ndërmjet përgjigjeve. Ato kanë parë si funksionon sistemi tatimor në Shqipëri, sistemi i akcizave, ruajtja apo depozitimi i mallrave të caktuara. Gjithashtu kanë parë funksionimin e komisioneve parlamentare", tha Bregu.
Ajo informoi se "në Shqipëri ndodhen aktualisht 2 misione vëzhguese, të cilat janë përqendruar kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke zhvilluar takime me policinë, prokurorinë dhe gjykatat".
Bregu tha se në fund të muajit pritet të mbërrijnë në Shqipëri 3 misionet e tjera vëzhguese."Misionet nuk janë të përbërë nga ekspertë të KE-së, por KE kontrakton ekspertë nga vendet anëtare kritikat e të cilëve janë më objektive, pasi nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me procesin", tha ajo.
Bregu shprehu bindjen se "KE po punon për përgatitjen e një opinioni për Shqipërinë brenda vitit 2010".

Në 16 dhjetor 2009, Komisioni Europian i dorëzoi Shqipërisë Pyetësorin me 2284 pyetje, që përbëjnë bazën për dhënien e opinionit për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Përgjigjet e Pyetësorit u dorëzuan në Bruksel, nga Kryeministri Sali Berisha në datën 14 prill 2010. Sipas një procedure standarde të KE-së, autoriteteve shqiptare iu kërkuan sqarime dhe iu dërguan 170 pyetje shtesë, që kanë të bëjnë kryesisht me gjykatat, drejtësinë, veprimtarinë e komisioneve hetimore etj.

Bregu për opozitën
Në fjalën e saj, Ministrja e Integrimit u fokusua dhe tek opozita. "Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk ecën vetëm në bazë të humorit të opozitës, apo të liderit të Partisë Socialiste".
Ajo shprehu bindjen se "në procesin e integrimit europian askush nuk i heq meritat qeverisë, ashtu sikurse njihen tentativat për bllokimin e procesit të integrimit, nga ana e politikanëve që kanë demostruar papërgjegjshmëri në këtë proces".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›