E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kërkon zgjedhje të reja, Karamanlis nuk tërhiqet



ATHINË - E gjithë Greqia është pushtuar nga protestat, krismat e armëve dhe shpërthimet e bombave molotov gjatë gjithë ditës së martë, duke filluar me ceremoninë mortore të 15-vjeçarit dhe deri në orët e vona. Burimet zyrtare raportuan incidente me armë në Athinë, Patra, Selanik dhe qytete të tjera. Ndërsa kryeministri Karamanlis nuk ka dhënë shenjat e një dorëheqjeje, ai ka kërkuar që sindikatat të anulojnë protestën e planifikuar për t’u bërë sot. Udhëheqësi i opozitës socialiste, Jorgos Papandreu, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja. Ai dënoi dhunën dhe tha se dështimi i qeverisë për ta kontrolluar atë kishte çuar në një krizë besimi. Zoti Papandreu tha se nëse qeveria mbetej në pushtet, gjendja mund të përkeqësohet. "Për fat të keq kemi pasur një krizë të institucioneve, ndërhyrjen e qeverisë në Drejtësi, kemi pasur rritje të korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisë dhe sigurisht që kemi pasur një krizë ekonomike shumë më përpara se të vinte kriza ekonomike globale", - tha zoti Papandreu. "Unë e ndiej se ajo që kemi parë është vetëm maja e ajsbergut e një krize nëpër të cilën po kalon Greqia tani për shkak të dështimeve të qeverisë", - tha ai. Kryeministri Kostas Karamanlis ka zhvilluar bisedime me kundërshtarët e tij politikë për mënyrën e rivendosjes së qetësisë. Duket se qeveria greke nuk dëshiron të thërrasë në ndihmë trupat ushtarake, pasi grekët kanë kujtesë të gjatë dhe të hidhur nga koha e juntës ushtarake. Zëdhënësi i qeverisë greke, Panos Livadas, tha se autoritetet kanë marrë masat e duhura dhe se policia po ndiqte procedurat e duhura lidhur me dy personat përgjegjës për vrasjen e të riut. "Njëri prej tyre është akuzuar me vrasje të paramenduar dhe një i dytë për bashkëpunim", - tha ai duke folur për dy policët e përfshirë në dhunën ndaj të riut 15-vjeçar. Zoti Livadas pranoi se pakica të izoluara u përpoqën të përfitojnë nga shprehja e keqardhjes për ta transformuar atë në një burim dhune në disa lagje të Athinës dhe rajone të tjera. "Ne kërkojmë të kemi konsensusin më të madh të mundshëm lidhur me këtë që të mos i lejojmë këta njerëz që u përpoqën ta transformojnë këtë shprehje të ndjenjës popullore në mënyrë paqësore në dhunë", - tha zëdhënësi i qeverisë greke. Por ai ishte i prerë se qeveria nuk do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. "Jo, mendoj që kjo nuk është një alternativë dhe nuk do të shohim diçka të tillë. Ne nuk do të ndjekim axhendën e këtij grupi të izoluar njerëzish", - tha zoti Livadas.
Gjatë mbrëmjes pati tensione në disa zona të Athinës. Një polic grek qëlloi në ajër për të shpërndarë një grup protestuesish pranë një rajoni policie në periferinë jugore të Athinës. “Një polic u rrethua nga një grup anarkistësh dhe qëlloi të paktën dy herë në ajër për t'i shpërndarë ata”, - tha një zyrtar i policisë, duke shtuar se nuk është plagosur asnjë person. Edhe në Patra anarkistët sulmuan dje pasdite Drejtorinë e Policisë me gurë dhe molotov.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›