E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u vra 15-vjeçari, që shkaktoi kaosin dhe djegien e Greqisë

Speciale për historinë e Aleksandros Grigorolopulos, që u vra mbrëmjen e së shtunës nga policia greke. Flasin fqinjët e adoleshentit. Jeta e përditshme dhe pasionet 15-vjeçarit, që u varros dje në Athinë

Nga Athina, Rozafa Shkodrani

ATHINË – Deri ditën e shtunë në mbrëmje ishte një djalë i zakonshëm i lagjeve të pasura të Athinës, por tani që ka ikur në botën tjetër, pas tij shkrumbohet gjithçka. Ëndrra e ndërprerë e Aleksandros Grigorolopulos, ose siç i thërrisnin shkurt, Aleks, riktheu në Greqi ngjarjet që ishin harruar prej shumë dekadash. Edhe ditën kur po përcillej për në banesën e fundit djaloshi i pafajshëm, institucionet e Athinës ishin në flakë.
Aleksi i pafajshëm
Shokët e tij thonë se ditën e vrasjes kishte dalë thjesht për një shëtitje, pasi nuk kishte lidhje me lëvizjet apo grupet anarkiste. Aleksi ishte një djalë i qeshur, që mbartte me vetvete ëndrrat e adoleshencës; një adoleshent i lumtur, që e përballte jetën me ndjenjë pozitive dhe me respekt ndaj njerëzve. Plumbat e policisë e qëlluan mes turmës së irrituar Aleksandros Andreas Grigorolopulosin në lagjen “Eksarqia” të Athinës, duke shkaktuar rrëqethje në të gjithë Greqinë. Aleksandros, Aleksi, apo Gregori, siç e thërrisnin shokët, ishte një nxënës 15-vjeçar, jeta e të cilit ndiqte ritmet e shumicës së bashkëmoshatarëve të tij që jetonin në zonën veriore të kryeqytetit. Me prejardhje nga një familje e kamur, nëna e tij ka dyqan bizhuterie në rrugën “Bukureshtiu”, ndërsa babai i tij punon drejtor në një bankë. Aleksandros kishte lidhur shoqëri kryesisht brenda mjediseve shkollore. Fillimisht studioi në shkollat “Moraiti”, ndërsa vitin e fundit ndiqte mësimet në një shkollë private në Ekali. Sipas dëshmive, ai banonte në lagjen “Palio Psiqiko” me nënën, motrën 14-vjeçare dhe gjyshen e tij.
Dëshmitë e fqinjëve
Fqinjët e kujtojnë si një nxënës në momentet e shkujdesura të tij, kur kohët e fundit ftonte fqinjët dhe shokët e shkollës në shtëpi për tu larë në pishinën e pallatit. Ai e kalonte kohën e lirë afër shtëpisë, duke bërë aventurat e moshës së tij. Teksa flitet për rrethin familjar të Aleksit, të gjithë thonë se ishte një familje e lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin, ndonëse prindërit e tij janë divorcuar dhe babai i tij jeton në një zonë tjetër të Atikës. Por fëmijët e bashkonin përherë çiftin Grigoropulos. Kur e mësuan ngjarjen e së shtunës fqinjët u tronditën për humbjen e jetës së djalit të qeshur, aq dhe për faktin se siç thoshin, Aleksandros ishte “një djalë i lexuar”. “Ishte një djalë i qetë dhe i mirë, që përshëndeste dhe fliste gjithnjë me respekt”, - thotë portieri i pallatit. “Nuk mund ta besoj këtë që ka ngjarë. Gruaja ime nuk ka pushuar së qari qëkur e mori vesh. Aleksandros ishte një djalë shumë i mirë. Asnjëherë nuk bënte zhurmë; sillte shokë dhe luanin së bashku. Asnjëherë nuk krijoi probleme. Nuk mund ta besoj se provokoi ndokënd”, - thotë ai.
Vetëm lexonte
“Çdo mëngjes zgjohej dhe zbriste së bashku me motrën e tij dhe nëna i çonte në shkollë; pastaj kthehej dhe vinin mësuesit në shtëpi që të bënte mësimet. Aleksandros çdo ditë vetëm lexonte. Nuk dilte mbrëmjeve. Unë qëndroj në vendin tim të shërbimit deri vonë dhe nuk e kam parë asnjëherë të dilte. Është e pabesueshme ajo që ka ndodhur”, - vazhdon ai. Dhe nuk është vetëm ai që e thotë diçka të tillë. Shokët e Aleksandros shprehen se ai nuk kishte asnjë lidhje me anarkistët; nuk kishte marrë pjesë në asnjë lëvizje anarkiste dhe nuk ishte i organizuar në ndonjë grup në Eksarqia.
Sipas shokëve, të shtunën në mbrëmje Aleksandros kishte dalë thjesht për një shëtitje nëpër baret e zonës. Kishte dalë thjesht për një shëtitje, e cila u bë rrugëtimi i tij i fundit drejt vdekjes, duke ndezur zjarre indinjate dhe pikëpyetjesh; “djali i qeshur” u vra pa shkak...
Vrasja e adoleshentit gazmor shkaktoi zemërim tek të gjithë. Me marrjen vesh të lajmit, në shumë qytete të Greqisë shpërthyen protesta të fuqishme, që në shumë raste degjeneruan në episode të dhunshme dhe shkatërrime dyqanesh, bankash etj.
Qendra e Athinës u shkatërrua. Në Selanik, Patra, Volos, Hania, Janinë etj., ka ndodhur e njëjta gjë. Nxënësit e shkollave të mesme qysh të hënën kanë nisur protestat për humbjen e jetës së bashkëmoshatarit të tyre.
Mesazh i presidentit Papulias
“Traumë në shtetin e së drejtës”. Kështu e konsideroi presidenti Papulias vrasjen e 15-vjeçarit në një telegram që u ka dërguar prindërve të Aleksandros Grigoropulos. “Uroj të jetë e fundit dhe ju shpreh dhimbjen më të thellë dhe ju siguroj se të dyshuarit do të vihen përpara përgjegjësisë”. Pas ngjarjes zoti Papulias ka bërë një bisedë të gjatë me ministrin e Brendshëm dhe të Rendit Publik, Prokopis Pavlopulos, nga i cili kërkoi informacion të vazhdueshëm për ecurinë e hetimeve.
Edhe gjatë ditës së djeshme, në vendin ku u vra adoleshenti, në kryqëzimin e rrugëve “Xhavella” dhe “Mesolongiu”, në qendër të Athinës, një zonë e preferuar për intelektualët dhe anarkistët ndodhej një shishe molotov mes pirgut të madh të luleve.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›