E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi: AKKP më pak i besueshmi

 

Aristir Lumezi

Qytetarët shqiptarë kanë më pak besim tek institucionet. Sondazhi i USAID-it tregon se qytetarët kanë më pak besim për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me 28.5 pikë, sindikatat me 33.5 pikë dhe partitë politike me 33.7 pikë. Ndërsa vetëm ushtarakët, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit fetarë  perceptohen me më shumë besim nga ana e publikut. Sipas sondazhit, mesatarja e besimit për të gjitha institucionet shkon në 44.3 pikë. Krahasuar me 2005, publiku ka më shumë besim prej 10 pikësh ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe 5.5 pikësh për Gjykatën e Lartë. Besimi kundrejt policisë ka shënuar rënie me 4 pikë që nga 2006, duke arritur në nivelin e 2005. "Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem shumë serioz". Kështu u shpreh dje drejtoresha e USAID-it në Tiranë, Roberta Mahoney, në fjalën e saj në nisjen e prezantimit të sondazhit. "Përvojat vetjake me korrupsionin janë ulur, por si perceptimet, ashtu edhe përvojat me korrupsionin mbeten të larta. Besimi tek institucionet vazhdon të jetë i ulët. Transparenca, e parë nga publiku, duket se është një çështje kritike. Publiku i gjerë, por edhe zyrtarët publikë, mendojnë se korrupsioni është një dukuri e përhapur gjerësisht. E thënë thjesht - korrupsioni është një problem dhe ekzistenca e tij u vjedh shqiptarëve kohë, energji dhe para që mund të shpenzoheshin më mirë për qëllime më pozitive", tha Mahoney. Drejtoresha e USAID-it në Tiranë kërkoi që të dhënat e sondazhit të shërbejnë për ngritjen e një kulture, ku të gjithë aktorët e shoqërisë të veprojnë për të korrigjuar këto raporte. "Këtu qëndron zgjedhja që ndodhet përpara çdo shqiptari, të përqafojë mundësitë dhe të ngrejë një kulturë të së ligjshmes, ku qytetarët, institucionet qeveritare dhe shoqëria civile promovojnë një qeverisje llogaridhënëse dhe transparente, apo vazhdojnë të funksionojnë në mënyra që dobësojnë dhe minojnë mirëqeverisjen dhe zhvillimin", tha Mahoney. Por ajo shprehu shqetësim se korrupsioni i madh apo i vogël qoftë po minon gjithçka që po arrihet në Shqipëri. "Çdo rast korrupsioni, i vogël e i madh, minon forcën e shoqërisë shqiptare. Çdo rast dobëson lidhjet mes njerëzve - duke i bërë njerëzit më pak besues, më pak të hapur dhe me më pak vullnet për të investuar në shoqërinë publike", u shpreh Mahoney. Sipas saj, pranimi së fundmi i Shqipërisë në NATO dhe përparimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian sjellin standarde të reja që Shqipëria duhet t'i zbatojë. Ajo solli disa raste të humbjes së besimit të qytetarëve nga shërbimet publike, si gjykata, shëndetësia, doganat, tatimet etj., pasi u duhet të paguajnë ryshfet. Drejtoresha e USAID-it në Tiranë sqaroi se duhet të jenë qytetarët shqiptarë ata që duhet t'i kërkojnë llogari qeverisë që t'i ofrojë shërbime publike bazë, duke rritur në këtë mënyrë besimin tek institucionet shtetërore. "Qytetarët duhet t'i kërkojnë llogari qeverisë për ofrimin e shërbimeve publike bazë. Kjo është zemra e demokracisë. Institucionet demokratike nuk mund të ekzistojnë pa këtë besim. Qeveritë duhet ta fitojnë besimin.
Për ta fituar këtë besim, një qeveri duhet të shprehë përkushtimin ndaj reformave, duhet të japë llogari për ato reforma dhe duhet t'i zbatojë rregullat në mënyrë të palodhur.

reagimet

Braçe: Berisha të ikë, s'ka mbështetje
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, duke komentuar sondazhin e publikuar dje nga USAID, e cilësoi qeverinë të zhytur në korrupsion dhe pa mbështetje në popull. Sipas tij, kryeministri dhe qeveria e tij duhet të ikin nga pushteti. "Jam i bindur që nëse sondazhi do të bëhej sot, dy muaj larg nga dita e zgjedhjeve, shifrat do të ishin edhe më të rënda. Qeveria e Sali Berishës dhe Parlamenti i Jozefina Topallit gëzojnë një nivel skandaloz besimi respektivisht me 42.1 dhe 40.3 pikë, kur besimi tek qeveria vendore kap nivelin 49 pikë dhe besimi tek kryebashkiakët në rang vendi kap nivelin e 51.4 pikëve", tha Braçe. Sipas tij, "ajo që mbetet është se shqiptarët tashmë e kanë të qartë këtë, ashtu siç numrat e korrupsioni dhe besimit të humbur te qeveria tregojnë me forcë se: Sali Berisha, tani është koha për të ikur"! Nënkryetari i grupit socialist, duke iu referuar shifrave dhe të dhënave që sjell sondazhi i USAID-it, tha se qeveria e Sali Berishës ka një indeks vlerësimi të korrupsionit prej 78.9 pikë dhe është rritur me 6.5 pikë në krahasim me një vit më parë, ndërsa ka dhe indeksin skandaloz të angazhimit në luftën kundër korrupsionit me 40.5 pikë, duke rënë dhe nën nivelin e vitit 2005. Sipas tij, 52 ditë para zgjedhjeve, korrupsioni në qeverinë aktuale është masiv, duke sjellë si shembull dhe zhvillimin e dy tenderave të zhvilluar në dy ministri. "Tani në fund po vjedh kushdo, pa dallim, ministër apo zyrtar politik, dhe po vidhet apo tjetërsohet çdo gjë, nga tenderat deri tek licencat", tha Braçe. Sipas tij, vlera e tenderit për uniformat e Policisë së Shtetit është rritur krahasuar me 2004 edhe me 3 milionë dollarë më shumë, duke e vlerësuar një uniformë me 866 dollarë. Sipas tij, edhe tenderi për mirëmbajtjen e pajisjeve në Portin e Durrësit është i fryrë dhe probleme të rënda procedurale.

Bregu: Korrupsioni,më i vogël se në 2005
Pas publikimit të sondazhit të USAID mbi perceptimin ndaj nivelit të korrupsionit në vend, qeveria vlerëson se treguesit e bërë publik vërtetojnë edhe njëherë se korrupsioni është më i vogël krahasuar me katër vjet më parë. Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu theksoi se nga studimi rezulton se në Shqipëri përvoja e korrupsionit po ulet në mënyrë të vazhdueshme. Ky është treguesi i vërtetë që mat se sa i përhapur është korrupsioni, theksoi Bregu. "Indeksi i mënyrave të viktimizimit nga korrupsioni është ulur nga 1.7 në vitin 2005, në 1.29 në vitin 2009. Rastet e referuara nga të anketuarit, kur policia ka kërkuar ryshfete, janë ulur nga 12.5% që ishin në vitin 2005, në 7.8 % në 2009-ën. Pra, korrupsioni në polici është ulur me 40%. Edhe më e madhe është ulja e kërkesës për ryshfet nga nëpunësit dhe zyrtarët. Nga 12.2 % në 2005-ën, në 6.1% në 2009. Pra, korrupsioni i administratës është përgjysmuar", u shpreh më tej zëdhënësja e qeverisë. Duke iu referuar ryshfetit në arsim, Bregu theksoi se ai është ulur me 300 për qind në krahasim me vitin 2005, teksa shtoi se atë vit 29% e prindërve paguanin për arsimimin e fëmijëve të tyre, ndërsa tani 9 për qind. Ndërsa lidhur me marrjen e dokumenteve, Ministrja e Integrimit theksoi se ryshfeti është ulur nga 29.6% që ka qenë në 2005 në 19% në 2009 teksa shtoi se më i madh i dokumenteve lëshohet nga organet e qeverisjes vendore. "Korrupsioni në tërësi ka një ulje të ndjeshme prej 9 pikësh. Shëndetësia ka një ulje nga 39.7%, në 37.1 %, pra, jo shumë e ndjeshme, por ky do të jetë fokusi ynë në luftën kundër korrupsionit gjatë mandatit të ardhshëm. Në bazë të studimeve të tjera të paanshme, të cilat datojnë më vonë, sesa ky studim i kryer në vjeshtën e vitit të kaluar, por i bërë publik sot, rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë edhe më pozitive", vijoi më tej Bregu, teksa akuzoi Ramën se ka renditur Tiranën në vendin e 178 për korrupsion sipas një studimi të Bankës Botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›