PDK-PS bashkojnë votat, rrëzojnë PD në Lezhë
Këshilltarët bashkiakë të Lezhës shkarkojnë nga posti i kryetarit përfaqësuesen e PD-së dhe emërojnë në vend të saj, një përfaqësues të Partisë Demokristiane. Gjithçka ka ndodhur pas një mocioni mosbesimi të iniciuar nga këshilltarët demokristianë të cilët, duke u mbështetur edhe nga këshilltarët e PS-së, PR-së dhe PAA-së kanë marrë drejtimin e Këshillit. Një javë më parë nëntë këshilltarë depozituan një kërkesë për mocion mosbesimi ndaj Roza Hilës, kryetare e Këshillit, përfaqësuese e PD-së. Gjatë votimit të fshehtë të zhvilluar dje, nga 14 këshilltarë që kanë marrë pjesë në votim 13 prej tyre kanë votuar pro shkarkimit dhe një abstenim. Ndërkohë në votimin e Frano Kullit si kryetar të 14 të pranishmit (3 PDK, 3 PS, 1 PR, 1 PAA, 1 PDS, 5 të pavarur) votuan pro propozimit të demokristianëve. Gjatë këtij votimi kanë munguar katër këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike. Në një njoftim për shtyp, PDK-ja vlerëson votimin në Këshillin Bashkiak të Lezhës, si një mbështetje në rritje ndaj kësaj partie në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Votimi i djeshëm në Këshillin Bashkiak të Lezhës tregoi se “Poli i Lirisë” po fiton një mbështetje gjithnjë e më të gjerë në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit dhe këtij grupimi politik, po i bashkohen çdo ditë me dhjetëra eksponentë dhe mbështetës tradicional të së djathtës dhe të qendrës së djathtë, si e vetmja shpresë për krijimin e një të djathte moderne që përfaqëson denjësisht interesat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin për shtyp.