E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, 40 milionë USD për 1.5 mijë km

Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, pas dy ditësh negociata të përfunduara dje pasdite, kanë gjetur konsensusin për financimin e projektit gjigant të ndërtimit të 1500 km rrugë rurale. Roli i BB-së në këtë projekt, që synon përmirësimin e rrjetit rrugor në fshatra, i përgjigjet kërkesës së qeverisë për të përmirësuar menaxhimin, financimin dhe kushtet e rrugëve sekondare e lokale në vend. Po ashtu, BB-ja do të mbështesë edhe pjesëmarrjen e sektorit privat në mirëmbajtjen e rrugëve të rrjetit sekondar e lokal dhe në të njëjtën kohë do të luajë rol katalizues për donatorët e tjerë në këtë sektor. Burime zyrtare pranë bankës bëjnë të ditur se, projekti do të ketë tre komponentë kryesorë, si: Punime civile në përmirësimin e seksioneve prioritarë të rrjetit rrugor sekondar (rajonal); punime civile në përmirësimin e seksioneve prioritare të rrjetit rrugor lokal (komuna); dhe mbështetje institucionale. Kostoja totale e projektit parashikohet të jetë 40 milionë USD, me 20 milionë USD nga një kredi e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), 15 milionë USD nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID) dhe 5 milionë USD si bashkëfinancim nga qeveria shqiptare. Pavarësisht rezultateve pozitive të arritura dje, miratimi final i këtij projekti do të vijë pas mbledhjes së bordit të drejtorëve, i cili parashikohet të zhvillohet në qershor të këtij viti. Mësohet se zbatimi i projektit do të bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me mbështetjen e Komitetit Ndërministror të ngritur nën drejtimin e ministrit të Punëve Publike. Projekti në total për ndërtimin e deri 1.5 mijë km rrugë kushton 200-400 milionë USD.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›