E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistri i kredive, prova kalohet me sukses

Sistemi i regjistrit të kredive ka kapërcyer me sukses fazën e implementimit. Ai tashmë po krijon historikun e të dhënave, mbi bazën e të cilit në të ardhmen do të mbështeten një sërë analizash të mbikëqyrjes bankare. Ky është konkluzioni i dalë dje nga mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i cili shqyrtoi ecurinë e regjistrit të kredive, si një zhvillim të rëndësishëm të infrastrukturës financiare në Shqipëri dhe një domosdoshmëri për nivelin aktual të zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri. Sipas ecurisë të regjistrit, në tre muajt e fundit, mësohet se bankat raportojnë çdo ditë informacion mbi kreditë e reja që lëvrohen, kreditë e paguara dhe të fshira nga bilanci, ndërsa brenda 15-ditëshit të parë të muajit pasardhës, raportojnë përditësimin e të dhënave për gjendjen e portofolit të kredive bashkë me klasifikimet e tyre përkatëse. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe bankat kanë raportuar të dhënat për të gjitha kreditë aktive në portofolet e tyre. Gjithashtu, kredimarrësit lejohen që nëpërmjet një procedure të përcaktuar dhe të qartë, t‘i drejtohen Bankës së Shqipërisë për të verifikuar informacionin që ekziston rreth tyre në regjistër dhe për të kërkuar ndryshimet e nevojshme. Gjatë tre muajve të funksionimit të regjistrit të kredive, sistemi i ka ndihmuar bankat për një kredidhënie më me përgjegjësi dhe si një instrument shtesë në administrimin e rrezikut të kredisë. Në këtë periudhë janë regjistruar rreth 210 mijë kredimarrës, të cilët ndodhen nën vëzhgimin e autoritetit të BSH-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›