PD, Këshilli Kombëtar mblidhet në ditët e para të shkurtit

TIRANË- Përveç krizës politike, Kryeministri Berisha foli dje edhe për zhvillimet brenda partisë që ai drejton. Sipas tij, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike do të kryhet brenda 10 ditëshit të parë të muajit që vjen. "Do të mblidhet së shpejti. Brenda 10 ditëshit të parë të muajit shkurt. U shty pak dhe kjo si shkak kryesor pati situatën e përmbytjeve, e cila u menaxhua sipas vlerësimit të qytetarëve të atyre zonave, vlerësimit ndërkombëtar dhe vlerësimit të gjithanshëm, në mënyrën më të përgjegjshme. Në një situatë të tillë, nuk mund të shkëpusja eksponentë të rëndësishëm të partisë, të cilët ishin ditë e natë në krye të procesit të menaxhimit dhe tu bëja mbledhje për zgjedhjet. Gjatë 10 ditëshit të parë të shkurtit do të kemi edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të zgjedhur, kryesinë, sekretarët, udhëheqjen e PD-së", - u shpreh Berisha. Këshilli Kombëtar do të zgjedhë rreth 25 anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike, midis 35 kandidatëve që janë aktualisht. Në mbledhjen e këtij Këshilli mendohet që të zgjidhet një numër i zgjeruar sekretarësh, ndërsa për postet e nënkryetarëve të partisë do të bëhet vetëm rikonfirmimi i tyre. Megjithatë, posti i sekretarit të përgjithshëm të PD-së është në pikëpyetje, pasi nuk dihet nëse do të rinkonfirmohet sërish Ridvan Bode apo do të jetë një emër i ri në këtë post.