E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza për krizën, Topi: Gati për çdo nismë

Presidenti Topi mirëpret çdo përpjekje për rivendosjen e dialogut parlamentar

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është gati të mirëpresë çdo nismë, që ka si qëllim rivendosjen e dialogut. Një ditë pas miratimit të rezolutës së KiE-së për Shqipërinë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse në cilësinë e Presidencës së radhës së BE-së dhe përfaqësuesin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Luixhi Bruza. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit shprehu edhe një herë qëndrimin e tij se po ndjek me vëmendje situatën paszgjedhore në Shqipëri, dhe se mirëpret të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike dhe në rivendosjen e dialogut parlamentar. "Arritja e qëllimit të përbashkët, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kërkon nga të gjithë një angazhim serioz dhe funksionim të plotë të gjitha institucioneve për të vazhduar reformat e rëndësishme dhe bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë",- thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Ndërkohë, dy diplomatët e lartë i shprehën Kryetarit të Shtetit shqiptar qëndrimin e Bashkimit Evropian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe komentuan rekomandimet e rezolutës së miratuar dy ditë më parë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbi Shqipërinë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë vlerësoi angazhimin serioz të Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe lexoi me vëmendje rezolutën e miratuar nga kjo Asamble mbi situatën politike në Shqipëri duke shprehur në të njëjtën kohë keqardhjen që një debat i tillë mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri të zhvillohet në Strasburg, në një kohë që Shqipëria ka qenë nga vendet e para ish-komuniste të anëtarësuara në këtë institucion përfaqësues evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›