Berisha: Ulem në tryezë me Ramën, por kutitë nuk hapen

Sipas Berishës, Presidenti Topi nuk duhet të dalë mbi vendimet e gjykatave
TIRANË- Miratimi i rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku kërkohej hetimi parlamentar i zgjedhjeve, si dhe përfshirja e Presidentit të Republikës Bamir Topi, si negociator për zgjidhjen e krizës politike, nuk ka ndryshuar qëndrimin e Kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një konference për shtyp, ai deklaroi se është i gatshëm që të ulet në tryezë me liderin e opozitës Edi Rama në prani të Presidentit Topi, por ky i fundit sipas Berishës, nuk duhet të dalë mbi vendimet e gjykatave. Berisha vuri në dukje se ai mirëpret cilindo për zgjidhjen e krizës politike, por jo me kushtin që zgjidhja e saj dhe hetimi i zgjedhjeve të përfshijë hapjen e kutive të votimit. "Që nesër. Ju doni të bëni gjykatës Presidentin, por është shumë e papërshtatshme për postin e tij, ta shpallësh si të tillë. Edhe një javë më parë kam deklaruar se takohem me zotin Rama dhe me cilindo. Unë nuk kam mure për t'u takuar ose jo me këdo, është jashtë filozofisë sime",- tha dje Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se ai nuk paragjykon askënd që mund të japë kontributin e tij për zgjidhjen e krizës politike, por hapja e kutive të votimit, sipas tij, nuk mund të jetë pjesë e këtij negocimi. Në këtë mënyrë, sipas Kryeministrit Berisha edhe nëse Presidenti Bamir Topi do të kërkojë një tryezë negocimi midis palëve politike, ai duhet që t'u nënshtrohet vendimeve të gjykatave që janë dhënë për zgjedhjet e 28 Qershorit si dhe të bindë kreysocialistin Rama për këto vendime. Sipas Berishës, gjatë gjithë kontakteve që ka pasur me persona që kërkojnë të luajnë rolin e negociatorit, asnjëri prej tyre, sipas shefit të mazhorancës, nuk i ka kërkuar që të ketë një shqyrtim politik të vendimit të gjykatave. "Gjatë këtyre muajve, janë jo të paktë personat, personalitete, individë që vijnë e më thonë të ndërmjetësojnë. Cilido, që mund të japë kontributin e tij në këtë drejtim, as nuk është i paragjykuar, as nuk është i keqpritur. Por kam konstatuar se asnjë, qoftë edhe një individ i vetëm, nuk ka pranuar kurrë që të pranojë rinumërimin e votave dhe shqyrtimin politik të vendimit të gjykatave. Kjo është e papranueshme. Në këtë kontekst, nuk është çështje e imja, por në qoftë se Presidenti i Republikës e gjykon se mund të bindë zotin Rama për t'u përshtatur me rregullat themelore të shtetit ligjor, që janë respektimi i gjykatave, unë e mirëpres pa asnjë hezitim dhe jo vetëm të Presidentit, por të cilitdo",- u shpreh ai. Një nga kërkesat e rezolutës së KiE-së është edhe hetimi i zgjedhjeve parlamentare, por Kryeministri Berisha nënvizoi se hetimi mund të përfshijë çdo gjë, por jo vendimet e gjykatave, pasi sipas tij ato janë të paprekshme nga çdo institucion politik. "Megjithatë hetimi mund të përfshijë çdo gjë tjetër, por jo vendimet e gjykatave. Kjo është absolutisht jashtë çdo lloj koncepti. Ai sovranitet që iu është dhënë gjykatave të vendit dhe të çdo vendi të lirë, ai është i paprekshëm nga çdo autoritet tjetër, parlament , qeveri, apo president qoftë ai",- theksoi kreu i qeverisë. Berisha i bëri thirrje gjithashtu kreut të opozitës Edi Rama, që të dëgjojë institucionet ndërkombëtare dhe të futet në Parlament, pasi bojkoti që dëmton interesat e vendit është një përgjegjësi e madhe. "Mendoj se përdorimi i bojkotit për të dëmtuar interesat e vendit përbën një përgjegjësi të jashtëzakonshme, një përgjegjësi që nuk duhet ta marrë asnjë njeri që i beson shtetit ligjor, Kushtetutës së vendit, rregullave bazë të demokracisë. Ndaj, edhe njëherë, uroj dhe e besoj që zoti Rama, jashtë emocioneve, të dëgjojë zërin e sinqertë të tempujve të mëdhenj të demokracisë evropiane, Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës...", - tha ai. Kryeministri Berisha shtoi se nëse deputetët e Partisë Socialiste nuk paraqiten në Kuvend brenda afateve kushtetuese, mandatet e tyre do të zëvendësohen.