E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gati për dialog, në tryezën e Presidentit

PS-ja nuk bën asnjë hap prapa dhe se nuk fillon asnjë lloj dialogu me qeverinë në sallën e kuvendit, pa një marrëveshje të negociuar për hetimin e zgjedhjeve

TIRANË- Bojkotit të Partisë Socialiste mund t'i japë fund vetëm kryeministri i vendit, Sali Berisha. Kështu është shprehur gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryetari i PS-së, Edi Rama, një ditë pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. "Sali Berishës i takon më shumë se kujtdo tjetër, për shkak se është në krye të qeverisë, që të marrë përgjegjësinë për të nxjerrë vendin nga kriza politike, duke qenë ai i pari që t'i vihet në dispozicion procesit të zgjidhjes së krizës dhe duke shprehur publikisht, qartë dhe prerë vullnetin për të dialoguar në tryezën e presidentit, siç sugjeron KiE. Unë jam gati për dialog në tryezën e Presidentit të Republikës dhe do të jem aty personalisht, në rast se presidenti do të angazhohet të ulë palët në tavolinë. Sali Berishës i bëj apel të bëjë të njëjtën gjë, pa u vonuar dhe pa u fshehur pas lojërave të fjalëve",- tha Rama. Kryetari i opozitës ka theksuar se PS-ja nuk bën asnjë hap prapa dhe se nuk fillon asnjë lloj dialogu me qeverinë në sallën e kuvendit, pa një marrëveshje të negociuar për hetimin e zgjedhjeve dhe për rivendosjen e të gjitha garancive demokratike në këtë vend. Duke sqaruar edhe interpretimin që mazhoranca i bën çështjes së kutive të votimit konform ligjit dhe Kushtetutës, kryetari i opozitës, ka sqaruar se ajo çfarë opozita kërkon lidhet me transparencën ligjore dhe kushtetuese dhe jo përmbysjen e tyre. "Më lejoni të ndaj me ju mendimin se Sali Berisha është ndër të gjithë njerëzit që merren me politikë në Shqipëri, i fundit që mund të flas për Kushtetutën. Sepse, ai nuk e njeh Kushtetutën, ndryshe nuk do ta kishte shkelur nja 30 herë në 4 vjet. Ndërkohë, që 16 herë, shkeljet e tij kushtetuese janë provuar si të tilla nga gjykata. Si mundet Sali Berisha të na tregojë ne dhe t'ju tregoj shqiptarëve, Kushtetutën e vendit si pengesë për transparencën e zgjedhjeve",- tha ai. Rama theksoi se, hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, është një e drejtë kushtetuese e parlamentit. "Hapja e kutive të votimit është një e drejtë që buron drejtpërdrejt, jo vetëm nga fuqia kushtetuese e parlamentit, por edhe nga fuqia e çdo qytetari në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e gëzon të drejtën e patjetërsueshme për informim",- tha ai. Për këtë arsye, kryetari i PS-së është shprehur se Berisha nuk mund të kushtëzojë objektin e hetimit. "Sali Berisha nuk bën asnjë lëshim dhe asnjë favor duke i thënë opozitës ejani në parlament, hetoni brenda ligjit. Askush nuk ka thënë që duam të bëjmë një hetim të paligjshëm. Problemi është se çfarë kuptojmë ne, me Kushtetutën dhe me ligjin dhe çfarë kupton njeriu që e ka shkelur Kushtetutën 30 herë, por që në 16 raste është kapur mat nga vet Gjykata Kushtetuese",- tha ai. Për këtë arsye, Rama shtoi se PS-ja nuk ka si qëllim që të përmbysë vendimet e gjykatave sepse gjykata, sipas tij, nuk ka marrë vendim që parlamenti nuk lejohet të hetojë çfarë ka në kutitë e votimit për efekt jo të rezultatit, por të nxjerrjes në dritën e diellit të gjithë problematikën e rëndë të zgjedhjeve. Kryetari i PS-së e ka një përgjigje edhe për deputetët e "LMN"-së edhe pse Rama nuk i ka cituar drejtpërdrejtë. "Publikisht i them Sali Berishës të mos investojë më për baltë mediatike dhe për blerje deputetësh opozitar. Nuk e shpëtojnë dot nga ballafaqimi me popullin opozitar, as manovrat me delegacione të sponsorizuara opozitarësh, që nuk janë në opozitë me të, por me partinë e tyre, as angazhimi i Fatosit dhe Ilirit bashkë për t'i çuar në prehër deputetë të PS-së, as kërcënimet groteske me dara e me pinca për dhëmbët e aleancës punisto-mafioze",- tha ai. Rama theksoi gjithashtu se protestat do të vazhdojnë dhe se kjo nuk ka lidhje me procesin dialogut. "Dialogu nuk do të kondicionojë protestat dhe protestat nuk do të kondicionojnë dialogun. Ne do ti zhvillojmë protestat deri ditën kur të jetë garantuar e drejta themelore e këtij populli për të votuar lirisht, për ta pasur ndershmërisht të numëruar votën e tij dhe për të parë në dritën e diellit se ku gjendet vota e tij pas numërimit",- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›