E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arka e shtetit bosh, bllokohet puna e KQZ-së

KQZ është në vështirësi për realizimin e investimeve dhe shpenzimeve operative, për shkak se arka e shtetit është bosh.

TIRANË- Arka e shtetit vijon të jetë bosh, çka ka bërë vështirë jo vetëm shpërndarjen e rrogave të punonjësve të administratës publike, por edhe vet funksionimin e institucioneve të ndryshme shtetërore, të cilat ndjejnë vështirësi për realizimin e investimeve dhe shpenzimeve operative. Një prej tyre është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka detajuar dje fondin e akorduar nga Buxheti i Shtetit për vitin 2010, por ku duket qartë se pjesa kryesore e lekëve mungonin. Bëhet fjalë për paratë e programuara në buxhetin e këtij institucioni për investime, të cilat janë të ngrira nga Ministria e Financave dhe kjo për shkak të mungesës së parave gjendje. Një fakt i tillë është bërë publik dje në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku drejtoresha për financat në këtë institucion ka pohuar se për shkak të mungesës së likuditeteve në banka zëri për investime në këtë institucion është i ngrirë. "Për vitin 2010 fondi i investimeve ka ardhur i ngrirë. Pra ka pasur mungesë likuiditetesh e cila na është thënë verbalist, por jo në mënyrë shkresore. Për këtë arsye edhe fondet e pajisjeve të zyrës do të qëndrojnë të ngrira", - tha drejtoresha e Financave në KQZ, Mirela Gega gjatë prezantimit të buxhetit të detajuar në zëra të veçantë. Por problemi për këtë institucion nuk ka të bëjë vetëm me investimet, por edhe me një shumë të konsiderueshme lekësh të pashlyera nga Buxheti i Shtetit si shpenzime të kryera gjatë vitit 2009. Bëhet fjalë për një shumë prej 5.6 milionë lekësh të reja të cilat janë shpenzuar prej KQZ-së për një sërë shërbimesh si botimi i buletinit të zgjedhjeve të 28 qershorit, shtypshkrimet për zgjedhjet e 15 nëntorit, shërbimi për auditimin e fondeve dhe shpenzimeve të partive politike, shërbim telefoni celular, energji elektrike, spote publicitare etj. "Në fund të vitit 2009 të gjitha këto dokumente janë çuar për pagesë pranë zyrës së thesarit, janë me gjithë faturat, por nuk janë ekzekutuar për mungesë likuiditetesh nga bankat. Unë kam insistuar që këtë gjë ta marrim me shkresë, por kjo është shumë e vështirë, - u shpreh më tej drejtoresha e financës. Ndërkohë përsa i përket detajimit të buxhetit të akorduar nga qeveria për këtë institucion, shuma më e madhe e fondit prej 103 milionë lekëve do të përdoren për paga. Krahasuar me vitin 2009, ka një rritje prej 4 milionë lekësh në zërin paga dhe sigurime shoqërore për shkak të përfshirjes në këtë zë edhe të pagesave dhe sigurimeve të ish anëtarëve që iu është ndërprerë mandati për shkak të hyrjes në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor. Ndërkohë që 3 milionë lekë janë programuar të përdoren për udhëtime dhe dieta për anëtarët e KQZ-së dhe administratën. Gjithashtu 1.2 milionë lekë do të kushtojë edhe një investim që do të bëhet në katin e dytë të këtij institucioni për të vendosur sistemin e aksesit (portat që do të hapen me karta të posaçme). Një tjetër zë i përcaktuar për herë të parë në këtë buxhet është edhe ai për bonusin që do u jepet anëtarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të KQZ-së për shërbimin e makinave. Edhe për këtë zë qeveria sërish është treguar dorë shtrënguar pasi siç u bë e ditur gjatë mbledhjes së djeshme ky fond duhet të ishte 3 milionë lekë të reja, ndërsa është vetëm 840 mijë.

Shuma totale e projektbuxhetit 103,500,000 lekë

Shpenzime për paga 66.000.000lekë
Shpenzime për sigurime 7.500.000lekë
Shpenzime operative 25.960.000lekë
Transferta korente me jashtë 200.000lekë
Pagesa të tjera me ligj të veçantë 840.000lekë
Investime 3.000.000lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›